Moderatorja e njohur shqiptare, Argjira Spanca, ka qenë një mungesë e ndjeshme në ekranet televizive kohët e fundit, duke bërë që ndjekësit e saj të pyesin me kuriozitet rreth një rikthimi të mundshëm. Në një bashkëbisedim virtual (Q&A) me ndjekësit në llogarinë e saj në Instagram, ajo ka zgjedhur t’i përgjigjet pikërisht kësaj pyetjeje, pasi një fans i shprehu dashurinë duke i shkruar se ajo “i mungon shumë ekranit”.
Për momentin, duket se Argjira nuk ka ndërmend t’i rikthehet televizionit. Ajo ka zbuluar se ka vendosur të marrë një periudhë pushimi nga bota e medias për t’u fokusuar në projekte të tjera personale. “Këtë periudhë kohore nuk e besoj që do më shihni në ekran. Kam vendosur të jem pak larg medias dhe po e shijoj,” u shpreh ajo, duke theksuar se vëmendja e saj aktualisht është përqendruar te bota e biznesit, një fushë që siç tregon vetë, ka filluar t’i pëlqejë jashtëzakonisht shumë.
Megjithatë, për të gjithë ata që duan ta shohin sërish në rolin e moderatores, ka ende shpresë. Argjira ka lënë një derë të hapur për të ardhmen, duke theksuar se një projekt i duhur ose një ide e veçantë mund ta rikthejë atë në televizion. “Por, gjithmonë them që të ardhmes nuk i dihet. Nëse një ditë do më vijë projekti i duhur ose nëse unë do kem ndonjë ide të re për diçka interesante dhe mund të rikthehem,” shpjegoi ajo, duke e mbyllur mesazhin me premtimin se deri atëherë, kontakti me publikun do të mbetet vetëm përmes rrjetit social Instagram. /Prive By Liberta Spahiu
