Në kohën kur lufta diplomatike e Serbisë ka marrë hov më shumë se kurrë më parë, MPJ e Kosovës ka vendosur që në vend se të kërkojë angazhim të shtuar në përballje diplomatike me Serbinë, t’i mbajë ambasadat e Kosovës të angazhuara kryesisht me mbledhjen e faturave për shpenzimet gjatë vizitave presidenciale, si derivatet, pijet etj. Por, një kërkesë e tillë ndaj ambasadave nuk është bërë për publikimin e shpenzimeve të kryeministrit, ministres Gervalla apo ministrave tjerë.
Burime nga ambasadat e Kosovës kanë pohuar se janë nën presion të vazhdueshëm përmes emaileve dhe telefonatave të shpeshta rreth kësaj çështjeje.
MPJ kërkon të dijë edhe sa litra naftë janë shpenzuar gjatë vizitave presidenciale apo sa shishe ujë janë konsumuar.
Një nga ambasadorët, nën kushtin e anonimitetit, thotë se kjo do t’i vendosë ata në një situatë të turpshme para homologëve të shteteve të tjera, sepse është brenda suazave të detyrës së ambasadës së Republikës që ta mbulojë transportin e një Presidenti apo të shtrojë drekë/darkë në nder të cilitdo delegacion, sidomos kur ndodhet për vizitë kreu i shtetit, që paraqet nivelin më të lartë shtetëror . Një gjë e tillë, shtoi ai, nuk bëhet nga asnjë shtet dhe nuk është bërë asnjëherë që nga viti 2008, kur janë themeluar ambasadat.
Nga Presidenca thonë se fare nuk janë njoftuar nga MPJ-ja për një kërkesë të tillë, e cila u është dërguar disa herë misioneve diplomatike e konsullore të Kosovës. Sipas tyre, Presidenca s’ka çfarë të fshehë, prandaj edhe gjithnjë i ka publikuar shpenzimet, ndërsa ambasadat thjesht kanë kryer detyrën e tyre kushtetuese dhe ligjore, duke i pritur delegacionet shtetërore ashtu siç e pret çdo ambasadë shtetin e vet. Megjithate, kane shtuar ata, eshte e domosdoshme qe ambasadave tu kerkohen edhe shpenzimet e institucioneve te tjera. Sipas Presidencës është për turp që ambasadave u kërkohen detaje, sikurse sa shishe ujë janë konsumuar apo sa naftë është harxhuar pët vetura për ta dërguar Presidenten në takimet zyrtare.
Nga ana tjetër, nga ambasadat nuk është kërkuar t’i publikojnë edhe shpenzimet që kanë bërë për institucionet e tjera.
“Kjo është një luftë e qartë politike, madje e paparë deri më tani”, thonë nga Presidenca. Ata po ashtu kanë shprehur shqetësimin për keqpërdorime të mundshme me fatura, ku shpenzime që fare nuk kanë lidhje me Presidenten, mund të paraqiten si të tilla.
“Tendencave të tilla për ta penguar Presidenten në kryerjen e detyrës kushtetuese si udhëheqëse e politikës së jashtme do t’u kundërvihemi me çdo mjet ligjor e kushtetues”, ka përfunduar përgjigjja e Presidencës.