“Mishi i viçit nga 7 në 13 euro” – çmimet në Kosovë u rritën deri në 84% për pesë vjet
Qytetarët e Kosovës po përballen me një rritje të ndjeshme të çmimeve të produkteve ushqimore dhe shërbimeve bazë. Nga tetori i vitit 2021 deri në tetor të vitit 2026, shumë produkte të konsumit të përditshëm kanë shënuar shtrenjtim të konsiderueshëm, duke rënduar buxhetet familjare.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të paraqitura në tabelën krahasuese për muajt tetor 2021 dhe tetor 2026, rritja mesatare e çmimeve për artikujt e përfshirë në këtë krahasim është 45%, raporton lajmi.net
Rritja më e madhe është regjistruar te domatet, çmimi i të cilave nga 0.92 euro në tetor të vitit 2021 ka arritur në 1.69 euro në tetor të vitit 2026, duke shënuar shtrenjtim prej 84%.
Menjëherë pas tyre renditen specat e padjegës, të cilët nga 1.1 euro kanë arritur në 1.98 euro, apo 80% më shtrenjtë.
Rritje të theksuar kanë pësuar edhe produktet e mishit, të cilat zënë një pjesë të rëndësishme të shpenzimeve të familjeve kosovare.
Çmimi i mishit të gjedhit pa eshtra është rritur nga 6.7 euro në 12.02 euro, që përbën një rritje prej 79%. Mishi i pulës, që në tetor të vitit 2021 kushtonte 2.78 euro, në tetor të vitit 2026 ka arritur në 4.89 euro, apo 76% më shumë.
Ndërkohë, mishi i viçit është shtrenjtuar nga 7.66 euro në 13.27 euro, duke regjistruar rritje prej 73%.
Kafeja, drutë e zjarrit dhe derivatet me rritje të ndjeshme
Përveç produkteve ushqimore, shtrenjtim të konsiderueshëm kanë shënuar edhe produktet dhe burimet e energjisë që përdoren nga familjet.
Kafeja e bluar, e cila në tetor të vitit 2021 kushtonte 9.91 euro, në tetor të vitit 2026 ka arritur në 16.61 euro, duke u shtrenjtuar për 68%.
Një tjetër rritje e ndjeshme është regjistruar te drutë e zjarrit. Çmimi i tyre është rritur nga 42.91 euro në 67.9 euro, apo 58% më shumë krahasuar me pesë vjet më parë.
Edhe çmimet e derivateve kanë shënuar rritje. Dizeli nga 1.23 euro ka arritur në 1.88 euro, që përbën rritje prej 53%, ndërsa benzina nga 1.27 euro është shtrenjtuar në 1.65 euro, apo 30%.
Energjia elektrike, sipas tabelës së ASK-së, nga 0.06 euro ka arritur në 0.0793 euro, duke shënuar rritje prej 32%.
Shtrenjtohen buka, mielli, qumështi dhe produktet e përditshme
Rritja e çmimeve nuk ka kursyer as produktet bazë që konsumohen pothuajse çdo ditë nga familjet kosovare.
Lexo edheHoti: Çmimet e konsumit familjar janë dyfishuar, kush mban përgjegjësi?
Buka e bardhë, e cila në tetor të vitit 2021 kushtonte 0.38 euro, në tetor të vitit 2026 ka arritur në 0.56 euro, duke u shtrenjtuar për 47%.
Po ashtu, mielli i grurit është rritur nga 0.55 euro në 0.81 euro, apo 47%, ndërsa sheqeri nga 0.77 euro në 1.09 euro, me rritje prej 42%.
Çmimi i qumështit (Tetrapak) është rritur nga 0.92 euro në 1.24 euro, apo 35%, kurse jogurti nga 0.9 euro ka arritur në 1.34 euro, duke shënuar rritje prej 49%.
Edhe vezët janë shtrenjtuar nga 2.74 euro në 3.41 euro, apo 24%, ndërsa vaji ushqimor i lulediellit nga 1.58 euro në 1.75 euro, me rritje prej 11%.
Në mesin e produkteve të tjera, orizi është rritur nga 1.44 euro në 1.69 euro, apo 17%, ndërsa patatet nga 0.63 euro në 0.75 euro, duke shënuar rritje prej 19%.
Frutat dhe perimet, ndër produktet me shtrenjtimin më të madh
Përveç domateve dhe specave, rritje të konsiderueshme të çmimeve kanë pësuar edhe fruta e perime të tjera.
Limoni nga 1.31 euro është shtrenjtuar në 1.97 euro, apo 50%, ndërsa mollët nga 0.8 euro në 1.19 euro, me rritje prej 49%.
Dardhat kanë shënuar rritje prej 37%, nga 1.64 euro në 2.25 euro, ndërsa bananet nga 1.12 euro në 1.44 euro, apo 29%.
Çmimi i fasuleve është rritur nga 2.62 euro në 3.58 euro, duke regjistruar shtrenjtim prej 37%.
Rritje janë evidentuar edhe te pijet dhe produktet e tjera të konsumit. Uji natyral pa gaz është shtrenjtuar nga 0.31 euro në 0.42 euro, apo 35%, ndërsa lëngu i pemëve nga 0.89 euro në 1.13 euro, me rritje prej 27%.
Çaji është rritur nga 7.85 euro në 10.17 euro, apo 30%, kurse birra nga 0.68 euro në 0.92 euro, me rritje prej 35%.
Ndërkohë, cigaret kanë shënuar rritje prej 48%, nga 2.29 euro në 3.4 euro./Lajmi.net/



