Ndërpritet seanca fillestare ndaj Adnon Jasharit, i akuzuar për vrasjen e Diana Kastratit
Seanca fillestare gjyqësore ndaj Adnon Jasharit, i akuzuar për vrasjen e Diana Kastratit para 15 vjetësh, u ndërpre më 10 nëntor në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pasi mbrojtja deklaroi se nuk ishte pajisur me shkresat e lëndës.
Sipas raportimit të Betimi për Drejtësi, avokati i të akuzuarit, Haxhi Millaku, tha se aktakuzën e kishte pranuar vetëm ditën e seancës, ndërsa Prokuroria nuk ia kishte dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm për përgatitjen e mbrojtjes.
Ai kërkoi shtyrjen e seancës, duke argumentuar se të akuzuarit duhet t’i garantohet një proces i drejtë, pavarësisht veprës penale për të cilën akuzohet.
Prokurorja Fatmire Cacaj tha se shkresat i ishin dorëzuar avokates tjetër të të akuzuarit, Arditë Berisha, por pranoi se edhe Millaku kishte të drejtë të pajisej me to.
Gjyqtarja Sulltane Hoti vendosi ta shtyjë seancën dhe e obligoi Prokurorinë t’ia dorëzojë shkresat e lëndës mbrojtjes.
Jashari, i cili ndodhet në arrati që nga viti 2011, nuk ishte i pranishëm në seancë.
Prokuroria ka kërkuar që gjykimi ndaj tij të zhvillohet në mungesë.
Ai akuzohet për vrasje të rëndë dhe mbajtje të paautorizuar të armëve.
Lexo edhePse në Kosovë politikanët bëjnë luftë për fotografi? Ankesat dhe ndryshimet e portreteve nga Rugova te Thaçi, Zvicra e Gjermania tregojnë një histori tjetër
Diana Kastrati ishte 27 vjeçe dhe nënë e një vajze kur u vra me armë zjarri më 18 maj 2011 në Prishtinë, vetëm 22 ditë pasi kishte kërkuar mbrojtje emergjente nga gjykata.
Gjykata nuk kishte vepruar ndaj kërkesës së saj.
Në vitin 2013, Gjykata Kushtetuese konstatoi se ky mosveprim kishte shkelur të drejtën e saj për jetë.
Aktakuza fillestare ndaj Jasharit ishte ngritur më 30 nëntor 2023, ndërsa më 19 mars 2026 Prokuroria e plotësoi atë, pas kërkesës së gjykatës për zbatimin e dispozitave të Kodit Penal që ishte në fuqi në kohën e vrasjes.
Në fund të tetorit, Prokuroria njoftoi për procedimin e rastit në mungesë, ndërsa më 6 nëntor, Policia e Kosovës publikoi fotografitë e Jasharit dhe kërkoi ndihmën e qytetarëve për lokalizimin e tij.





