Pse në Kosovë politikanët bëjnë luftë për fotografi? Ankesat dhe ndryshimet e portreteve nga Rugova te Thaçi, Zvicra e Gjermania tregojnë një histori tjetër
Në Kosovë, duket se vendi ku duhet të qëndrojë një fotografi është po aq i rëndësishëm sa vetë pozita e presidentit. Sa herë ndërrohet pushteti, hapet edhe një debat i ri për kornizat, muret dhe portretet. Ndërkohë, shtetet si Gjermania dhe Zvicra kanë gjetur mënyra shumë më praktike për t’u marrë me këtë çështje.
Debati i fundit për fotografinë e Ibrahim Rugovës dhe Deklaratën e Pavarësisë në Presidencën e Kosovës dëshmoi edhe një herë se politika kosovare di të prodhojë polemika edhe aty ku, në vende të tjera, mjafton një vendim protokollar, shkruan lajmi.net.
Lidhja Demokratike e Kosovës reagoi ashpër ndaj asaj që e cilësoi si largim të fotografisë së ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe Deklaratës së Pavarësisë nga vendet e tyre të nderit në Presidencë. Partia që për muaj me radhë u vu në heshtje hermetike për gjithçka që ndodhte në Kosovë, e për problemet e vazhdueshme të qytetarëve reagoi ashpër e kërkoi nga presidentja Justina Shiroka-Pula që t’i rikthejë ato në pozitat e mëparshme.
LDK-ja e cilësoi këtë veprim si të papranueshëm, duke theksuar se Rugova dhe Deklarata e Pavarësisë përfaqësojnë themelet historike të shtetit të Kosovës.
Por Presidenca doli me një sqarim krejt tjetër, ku në fakt u kuptua se LDK-ja e përdori këtë moment të reagoi mbi diçka që s’ishte bërë sepse fotografitë vazhdojnë të jenë në Presidencën e Kosovës.
“Asgjë nuk është larguar nga zyra e Presidencës. Të gjitha janë aty”, thuhej në reagimin e institucionit. Pra, sipas Presidencës, fotografia dhe Deklarata e Pavarësisë vazhdojnë të jenë aty. Debati, megjithatë, tashmë kishte dalë nga korniza.Dhe kjo nuk është hera e parë që politika kosovare merret me fotografi.

Një histori e gjatë me fotografi dhe protesta
Në vitin 2019, LDK-ja protestonte kundër presidentit të atëhershëm Hashim Thaçi, duke e akuzuar se kishte larguar vulën presidenciale të trashëguar nga Ibrahim Rugova. Sipas pretendimeve të LDK-së, vula nuk figuronte as në komunikimet me ndërkombëtarët.
Një vit më vonë, në vitin 2020, ishte radha e fotografive.
Vjosa Osmani, atëkohë kryetare e Kuvendit dhe pjesë e LDK-së, e zhvendosi fotografinë e presidentit Hashim Thaçi në një kënd tjetër të zyrës. Në vendin më të dukshëm vendosi fotografinë e Ibrahim Rugovës.
Arsyetimi i saj ishte se dëshironte të inspirohej nga Rugova sa herë që shkonte në punë.
PDK-ja reagoi duke e akuzuar për shkelje të ligjit. Osmani u përgjigj se ligjin e kishte shkruar vetë dhe e dinte se nuk e kishte shkelur.
Madje, një deputet i PDK-së vendosi një portret të madh të Thaçit pas ulëses së kryetares së Kuvendit. Partia bojkotoi edhe mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit. Pas një kohe, Osmani deklaroi se çështja ishte e mbyllur.
Tash, në vitin 2026, kemi një episod tjetër të së njëjtës telenovelë institucionale.
Ndryshojnë emrat, ndryshojnë partitë, ndryshojnë presidentët, por debati për fotografitë vazhdon të mbetet në modë.
Çfarë bëjnë Gjermania dhe Zvicra?
Në Gjermani, vendosja e fotografive të zyrtarëve shtetërorë është kryesisht çështje e praktikës institucionale dhe protokollit, jo një garë politike për murin më të dukshëm.
Fotografia e presidentit federal vendoset në përfaqësitë diplomatike gjermane në botë. Fotografia e kancelarit dhe e ministrave përdoret në hapësirat përkatëse institucionale, sipas funksioneve që ata ushtrojnë.
Megjithatë, edhe në Gjermani egoja politike nganjëherë gjen mënyra për të hyrë në kornizë.
Në dhjetor të vitit 2025, gazeta gjermane BILD raportoi se ministri i Jashtëm Johann Wadephul kishte kërkuar vendosjen e fotografisë së tij në ambasadat gjermane, krahas fotografisë së presidentit federal.
Lexo edheEkzekutohen pagat për punëtorët teknikë – pritet rifillimi i punës në shkolla dhe çerdhe në Prishtinë
Arsyetimi ishte se fotografitë do t’i ndihmonin përfaqësitë diplomatike të ndiheshin më të lidhura me qendrën.
Me fjalë të tjera, një fotografi në mur duhej ta zvogëlonte distancën mes Berlinit dhe ambasadave nëpër botë. Se sa ndikon një kornizë në diplomaci, kjo mbetet çështje tjetër.
Por Zvicra e ka gjetur një zgjidhje edhe më interesante.
Ky shtet ka shtatë anëtarë të Këshillit Federal dhe njëri prej tyre ushtron funksionin e presidentit për një vit. Pra, çdo vit ndryshon presidenti, por nuk ndryshon domosdoshmërisht mënyra se si paraqitet qeveria.
Në vend që institucionet të merren me ndërrimin e portreteve, Zvicra publikon çdo vit fotografinë zyrtare të gjithë qeverisë, bashkë me kancelarin federal.
Fotografia e vitit 2026 u publikua më 31 dhjetor 2025. Ajo u realizua në sallonin e Presidencës, një hapësirë me shumë zbukurime të arta.
Madje, gazeta zvicerane “Tages-Anzeiger” e trajtoi fotografinë me një dozë të mirë humori, duke numëruar pothuajse çdo element të artë: mobiliet, llambadarin, kornizat, perdet, qilimin, orët dhe unazat e disa anëtarëve të qeverisë.
Në një pasazh ironik, gazetari shkruante se mungonin vetëm një Rolex i madh prej ari dhe një tullë ari, por ato tashmë ndodheshin në Washington.
Ishte një thumbim ndaj delegacionit të biznesmenëve zviceranë që në nëntor të vitit 2025 i kishte dhuruar Donald Trumpit një orë Rolex dhe një tullë ari, në kohën kur Zvicra po përpiqej të negocionte uljen e tarifave doganore amerikane.
Pra, edhe zviceranët dinë të bëjnë humor me politikën, por të paktën nuk e kthejnë çdo fotografi në krizë institucionale.
Po në Kosovë, kush duhet të jetë në krye të galerisë?
Natyrisht, Ibrahim Rugova zë një vend të veçantë në historinë e Kosovës. Nga fundi i viteve 1980 deri në vdekjen e tij më 2006, ai udhëhoqi një lëvizje politike që synonte lirinë, pavarësinë dhe ndërtimin e Republikës së Kosovës.
Roli i tij historik, respekti që gëzon dhe kontributi në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës janë arsye të mjaftueshme që trashëgimia e tij të nderohet në institucionet shtetërore.
Por kjo nuk duhet të shndërrohet në një betejë të përhershme partiake për pozicionimin e fotografive.
Ligji për Protokollin e Shtetit, në nenin 20, pika 3, përcakton: “Obligohen të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës që në mjediset e tyre ta vendosin fotografinë e Presidentit. Përmasat minimale duhet të jenë 40 – 60 cm”. /Lajmi.net/









