Ministria Mbrojtjes mirëpret raportin e DASH-it për Kosovën: Dëshmon progresin tonë në kaacitetet mbrojtëse

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci e ka mirëpritur Raportin e Departamentit të Shtetit i përgaditur për Kongresin mbi Politikën e Shteteve të Bashkuara për Promovimin e Stabilitetit Rajonal dhe Prosperitetit në Ballkanin Perëndimor.
Ai ka thënë se ky raport konfirmon mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zhvillimin dhe transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë moderne, profesionale dhe multietnike të mbrojtjes territoriale.
“Ky vlerësim paraqet një dëshmi të qartë të progresit të arritur nga Republika e Kosovës në forcimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse, në përputhje me standardet euro-atlantike dhe në partneritet të ngushtë me SHBA-në dhe aleatët tanë. Përkrahja amerikane ka qenë dhe mbetet vendimtare në rrugëtimin tonë drejt ndërtimit të një force të aftë për mbrojtjen e sovranitetit, integritetit territorial dhe sigurisë së qytetarëve tanë”, ka shkruar Maqedonci.
Ai ka thënë se vlerësojnë lart njohjen e rolit të Kosovës si kontribuese në sigurinë ndërkombëtare.
“Angazhimi ynë për t’iu bashkuar përpjekjeve shumëkombëshe për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit dëshmon se Kosova është një partner i besueshëm dhe një kontribuues aktiv në sigurinë rajonale dhe globale. Kjo pasqyron qartë transformimin e Kosovës nga konsumues i sigurisë në ofrues të saj. Republika e Kosovës do të vazhdojë të investojë në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse, në forcimin e bashkëpunimit me aleatët strategjikë dhe në avancimin e aspiratës sonë të palëkundur për integrim të plotë euro-atlantik”, ka shkruar Maqedonci.
Çfarë thotë raporti për Kosovën?
Për Kosovën, dokumenti thekson se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta inkurajojnë atë dhe Serbinë për të bërë përparim drejt normalizimit të marrëdhënieve, me synimin për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme, të negociuar dhe të pranueshme për të dyja palët.

Lexo edheNjë turk shkon në stacion policor në Prishtinë me thikë, arrestohet dhe dërgohet në mbajtje
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve më 2023 në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, i cili mbështetet nga SHBA-ja.
Por, asnjëri vend nuk ka bërë hapa për ta zbatuar atë deri më tani.
Ndërkohë, lidhur me sigurinë, Uashingtoni thotë se “trupat amerikane vazhdojnë të marrin pjesë në KFOR, të cilin e cilëson si komponent kyç për garantimin e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes në Kosovë”.
Dokumenti po ashtu thekson mbështetjen për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë profesionale të mbrojtjes territoriale, si dhe përmend modernizimin e termocentraleve me qymyr dhe projektet e gazifikimit të qymyrit në Kosovë si pjesë të prioriteteve energjetike në rajon.














