Artan Behrami akuzon BE-në për standarde të dyfishta ndaj Kosovës dhe Gjykatës Speciale

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka kritikuar Bashkimin Evropian për, siç thotë ai, standardet e dyfishta në raport me Kosovën dhe Gjykatën Speciale.
Në një postim në Facebook, Behrami ka ngritur pikëpyetje mbi bazën juridike të detyrimeve që BE-ja ia atribuon Kosovës, duke kërkuar sqarime për zbatimin e shkëmbimit të letrave Jahjaga–Ashton të vitit 2014.
Ai ka theksuar se Kosova e ka ratifikuar këtë marrëveshje përmes Ligjit nr. 04/L-274, ndërsa ka vënë në pikëpyetje nëse Bashkimi Evropian e ka miratuar atë sipas procedurave të veta, të përcaktuara në nenin 218 të Traktatit për Funksionimin e BE-së.
Behrami ka kërkuar nga BE-ja të sqarojë bazën juridike mbi të cilën mbështetet kur kërkon nga Kosova respektimin e detyrimeve ndërkombëtare që burojnë nga kjo marrëveshje.
Një tjetër çështje që deputeti i PDK-së e ka vënë në fokus është financimi i Gjykatës Speciale. Sipas tij, ekziston një mospërputhje mes deklarimeve politike të BE-së, e cila e cilëson Specialen si gjykatë të Kosovës, dhe terminologjisë së përdorur në vendimet e saj për financimin.
Behrami i është referuar Vendimit të Këshillit të BE-së (CFSP) 2025/1161, të 5 qershorit 2025, ku, sipas tij, përdoret formulimi “procedura gjyqësore të zhvendosura brenda një shteti anëtar”, pa iu referuar shprehimisht Gjykatës Speciale si gjykatë e Republikës së Kosovës.
Ai ka ngritur gjithashtu çështjen e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të mundësisë së kontrollit gjyqësor nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, duke pyetur pse të akuzuarit nuk kanë mundësi ankimi të drejtpërdrejtë kundër Kosovës në këtë gjykatë.

Lexo edheKEK-u nis projektin për ndërtimin e urave mbi lumin Sitnica dhe kanalin e Deponisë
Deputeti ka përmendur edhe nenin 83 të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, i cili parasheh bashkëpunimin për pavarësinë, paanshmërinë dhe llogaridhënien e gjyqësorit, duke argumentuar se përgjegjësitë institucionale nuk duhet të shihen vetëm në raport me Kosovën.
“Pavarësia gjyqësore duhet respektuar. Por pavarësia nuk nënkupton mungesë llogaridhënieje”, ka theksuar Behrami.
Në fund të reagimit të tij, ai ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të sqarojë nëse Kosovën e trajton si shtet me të drejta dhe detyrime të ndërsjella apo si një territor ndaj të cilit mund të imponohen detyrime pa u diskutuar përgjegjësia e palës tjetër.
“Nëse BE-ja kërkon që Kosova t’i respektojë marrëveshjet, duhet të tregojë se i respekton edhe vetë, në përmbajtje, në procedurë dhe në standardet e drejtësisë që pretendon se përfaqëson”, ka përfunduar Behrami.












