Megaprojektet e Erdoganit për një Turqi moderne dhe superfuqi botërore
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, përuroi të martën tunelin e parë rrugor nën Bosfor, i fundit i një sërë projektesh ambicioze që parashikojnë transformimin e infrastrukturave të vendit.
Erdogan, në krye të Turqisë që prej vitit 2003 si kryeministër dhe tashmë si president, krenohet me këto vepra monumentale, projekte madhështore, të cilat asnjë drejtues tjetër turk nuk i ka ëndërruar.
Nga urat, një kanal, aeroporte, më poshtë vijojnë disa nga këto projekte, që janë realizuar apo janë në ndërtim:
Tuneli “Marmaray”
Data e inaugurimit: Tetor 2013
Tuneli Marmaray është kalimi i parë nëndetar që lidh brigjet evropiane dhe aziatike të Stambollit. Ai mundësoi kalimin e një treni të lidhur me sistemin metropolitan të qytetit. Sipas ministrit të Transporteve, Ahmet Arslan, ai është përdorur nga 172 milionë pasagjerë.
Ura “Osman Gazi”
Data e inaugurimit: Qershor 2016
E katërta më e gjatë në botë, Ura “Osman Gazi” shtrihet në 2,6 kilometra të Gjirit të Izmitit, në veriperëndimin industrial të Turqisë. Ajo mori emrin e themeluesit dhe drejtuesit të parë të Perandorisë Osmane.
Ura “Yavuz Sultan Selim”
Data e inaugurimit: Gusht 2016
Kjo strukturë hibride, ura më e madhe në botë me një gjerësi prej 58,5 metrash, është e treta që kalon Bosforin, pas një ure të parë të hapur në vitin 1973 dhe një të dyte në vitin 1988.
Ajo është quajtur Yavuz Sultan Selim, emri i sultanit që fitoi pjesë të mëdha të Lindjes së Mesme gjatë një mbretërimi tetëvjeçar.

Lexo edheShpërthim në tregun e fishekzjarrëve, 29 të vdekur dhe 60 të lënduar (Video)
Tuneli Euroaziatik
Data e inaugurimit: 20 dhjetor 2016
Bëhet fjalë për tunelin e parë rrugor nën Bosfor në Stamboll. Struktura, ndërtuar në 106 metra thellësi, kalon Bosforin në një distancë prej 3,4 kilometrash.
Aeroporti i ri i Stambollit.
Data e parashikuar e inaugurimit: Gjashtëmujori i parë 2018
Punimet e këtij aeroporti të ri kanë filluar tashmë. Ndërtuar pranë Detit të Zi, shumë larg qendrës së qytetit, autoritetet shpresojnë se përmasa e saj do ta bëjë Stambollin një pikë kthese në transportin ajror.
Ura e Dardaneleve
Data e parashikuar e inaugurimit: 2023
Ura do të kalojë Ngushticën e Dardaneleve, që lidh Egjeun me Marmaranë, duke bërë të duken të vogla urat e Bosforit. Erdogan njoftoi se ndërtimi do të fillojë më 18 mars.
Kanali i Stambollit
Data e parashikuar e inaugurimit: E pacaktuar
Me shumë gjasa një nga projektet më ambicioze të Presidentit Erdogan, bëhet fjalë për hapjen e një kanali të ri që lidh Detin e Zi me Detin Marmara, për të lehtësuar trafikun në Bosfor.














