“Më hodhën si limon të shtrydhur”, Maestro me deklaratë të fortë: A e ka me Luizin?

Një deklaratë e papritur e tenorit Armaldo Kllogjeri, i njohur si Maestro nga edicioni i dytë i “Big Brother VIP Albania”, ka ngjallur diskutime në rrjetet sociale.
Përmes një postimi të gjatë në Instagram, ish-banori ka zbuluar se kishte marrë një ftesë për t’u bërë pjesë e një spektakli televiziv mbrëmjen e së premtes, por fjalët e tij kanë lënë të kuptohet se pas kësaj ftese fshihet një histori jo fort e këndshme.
“Unë e bëra dikur show-n tim në atë ekran me shpirt, me pastërti, me dëshirën për të krijuar situata që publiku të argëtohej”, shkruan ai, duke shtuar se nuk ishte vlerësuar sa duhej.
Maestro shkon edhe më tej, duke pretenduar se ishte larguar nga loja në mënyrë të padrejtë dhe se kishte përjetuar pasoja që, sipas tij, vazhdojnë ta rëndojnë edhe sot.
“U nxorra nga loja në mënyrën më të ulët dhe u hodha në rrugë si një ‘limon i shtrydhur’”, shprehet tenori.
Megjithëse nuk përmend emra, koha e publikimit ka ngritur dyshime se deklarata mund të lidhet me “Live me Luizin”, emisionin e ri të Luiz Ejllit në Top Channel, që transmetohet të premteve.
Kjo mundësi bëhet edhe më interesante për shkak të historisë së komplikuar mes dy ish-banorëve.
Luizi dhe Maestro nisën një raport të afërt brenda shtëpisë së “Big Brother VIP Albania 2”, por miqësia e tyre u shndërrua në rivalitet. Pas eliminimit, Armaldo nuk ia dha dorën Luizit, duke e konsideruar mënyrën se si ai e kishte çuar në nominim si një goditje pas shpine.

Lexo edheAfrona Dika në pritje të ëmbël, publikon foto me barkun e rrumbullakosur
Marrëdhënia e tyre nuk u përmirësua as jashtë shtëpisë. Madje, gjatë provave të “Dancing With the Stars” në tetor të vitit 2023, Maestro reagoi ashpër kur iu përmend Luizi, duke deklaruar se nuk fliste me të.
Megjithatë, deklarata e fundit e tenorit ka sjellë edhe një tjetër diskutim.
Në komentet e postimit, ndjekësit i kanë kujtuar se pas përfundimit të “Big Brother VIP”, ai ka vijuar të angazhohet në Top Channel.
Në fakt, disa muaj pas daljes nga shtëpia, Armaldo ishte konkurrent në “Dancing With the Stars”, ndërsa iu besua edhe roli i moderatorit në një rubrikë muzikore të emisionit “E Diell”.
Pikërisht këto angazhime kanë bërë që disa ndjekës të vënë në pikëpyetje pretendimin e tij se nuk ishte vlerësuar nga televizioni.
Në fund të reagimit, Maestro thekson se sot, më shumë se gjithçka, për të ka rëndësi respekti ndaj vetes, ndërsa shprehet se, duke parë situatën aktuale në Shqipëri, nuk ndihet në gjendje të bëjë spektakël.
Mbetet e paqartë nëse ftesa që ai përmend lidhet vërtet me emisionin e Luiz Ejllit apo me një tjetër projekt televiziv, pasi vetë tenori nuk ka dhënë emra dhe as detaje të tjera. /Prive By LS















