Lushtaku publikon raportin e Policisë: Qartë thotë se s’ka pasur sulm – Kurti do përgjigjet në gjykatë

Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, përmes një postimi në Facebook, ka ndarë raportin e Policisë, lidhur me deklarimin e ditëve më parë nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pasi që ky i fundit kishte pretenduar se Lushtaku kishte tentuar ta godiste eskortën e tij me veturë.
Lushtaku, në postimin e tij, ka thënë se raporti i Policisë, e ‘’nxjerr në pah të vërtetën dhe e demanton plotësisht shpifjen dhe propagandën’’ e Kurtit.
‘’Raporti thotë qartë se nuk ka pasur as sulm ndaj eskortës dhe as rrezikim të sigurisë në komunikacion. Pra, gjithçka ka qenë një gënjeshtër e fabrikuar për përfitime politike dhe për të njollosur emrin tim para qytetarëve’’, ka shkruar Lushtaku mes tjerash.
Postimi:
As sulm, as rrezikim. Vetëm shpifje dhe gënjeshtër e Albin Kurtit.
E gjeni të bashkëngjitur raportin zyrtar të Policisë, i cili e nxjerr në pah të vërtetën dhe e demanton plotësisht shpifjen dhe propagandën e Albin Kurtit për kinse “sulm me makinë” ndaj tij dhe eskortës përcjellëse.

Lexo edheHaradinaj: Në qeverisjen e Ardian Gjinit do t’i rikthejmë projektin e Termocentralit të ri dhe Gazsjellësin amerikan
Raporti thotë qartë se nuk ka pasur as sulm ndaj eskortës dhe as rrezikim të sigurisë në komunikacion. Pra, gjithçka ka qenë një gënjeshtër e fabrikuar për përfitime politike dhe për të njollosur emrin tim para qytetarëve.
Unë nuk jam mësuar të fshihem pas mashtrimeve e deklaratave propaganduese. Gjithmonë kam qëndruar drejt para Zotit, familjes dhe qytetarëve. Prandaj sot, faktet flasin vetë.
Askush nuk mund të shpifë e të manipulojë opinionin publik e të kalojë pa u përballur me përgjegjësi. Për këtë gënjeshtër publike dhe këtë shpifje të ulët, Albin Kurti do të përgjigjet para gjykatës!
SL














