Të shtunen mbahen zgjedhjet në degën e PDK-së në Drenas.
Kjo degë do të zgjedhë kryetarin e degës, e në garë janë Labinot Halilaj, Naim Bazaj dhe Sejdi Hoxha, shkruan Drenicapress
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka ftuar delegatët e PDK-së që të shtunen të votojnë pa asnjë ngarkesë, pa asnjë ndikim nga askush.
Lexojeni të plotë postimin e Ramiz Lladrovcit:
Procesi i brendshëm zgjedhor i rregullt dhe demokratik në degën e PDK-së, do të përmbyllet të shtunën, më 18.5.2019. Është proces shembullor për shumë arsye.
Gjithëpërfshirja, përfaqësimi dhe kuadri i deleguar nga seksioni, nëndega dhe delegimi për zgjedhjet në Degë, janë shembullore. Procesi ishte plotësisht i rregullt, i mbikëqyrur nga Grupi strategjik, nga Komisioni qendror për zgjedhje të brendshme dhe Komisioni i Organizimit të zgjedhjeve Lokale.
Qindra kuvende, nga seksionet deri në Kuvendin e Degës, me mijëra anëtarë të përfshirë në proces, përfaqësojnë një energji dhe vullnet për platformën e liderit tonë, Kadri Veseli. Jashtë këtij vizioni, Drenasi nuk mund të imagjinohet.
Ekziston vullnet i fuqishëm i delegatëve për zgjedhjet fer dhe demokratike të degës së PDK-së në Drenas, duke zgjedhur në garë zgjedhore më të mirin dhe më meritorin në krye të Degës, Këshillin drejtues si dhe delegatët për Konventën qendrore të PDK-së.
Secili qytetar deri më tash, e kishte rastin të dëshmojë sa punon, sa e do dhe sa e ka kapacitetin e punës për Drenasin dhe PDK-në. Drenasi, e ka rikonfirmuar se mbetet bastion i PDK-së, ashtu siç ishte dje bastion i lirisë dhe çlirimit.
Ftoj delegatët që të shtunën, të votojnë pa asnjë ngarkesë, pa asnjë ndikim nga askush, qoftë edhe jashtë komunës tonë e aq më pak të mos ndikohen nga çfarëdo kërcënimi, por të udhëhiqen me punën dhe përkushtimin e PDK-së dhe platformën e Dekadës së Re, me besim, zhvillim dhe integrim.
Urime, suksese!


