Ky është anëtari i Vetëvendosjes që kishte ndarë qelinë e burgut me Adem Grabovcin
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, dhe deputeti i PDK-së, Adem Grabovci, kishin ndarë bashkë qelinë e burgut të Pozharevcit në Serbi, në kohën kur të dy ishin të burgosur politik.
Kurteshi, në një intervistë me RTV Dukagjinin, ka thënë se për 25 muaj me radhë e kishte ndarë qelinë e burgut me protagonistin e “Dosjes së Shefave”. Kurteshi e quan “shok të mirë” Grabovcin, derisa thotë se ka vetëm kujtime të mira nga koha e kaluar në burg me të.
“Prej burgut unë ndaj kujtimet më të mira me këtë njeri. Ne i kemi ndarë 25 muaj, nga 24 orë në ditë e natë bashkë. Unë e di se si qan, si hishërohet, si gëzohet, si qesh, si flen si të gjitha. Rrugët tona janë ndarë që nga ajo kohë, pasi ai tani bën pjesë, fatkeqësisht, në një parti të cilën unë e quaj ‘Klani Pronto’”, ka thënë Kurteshi.
Kurteshi më tutje ka treguar se është befasuar nga Grabovci kur e kishte dëgjuar se ai është bërë pjesë e PDK-së.
Lexo edheKëngëtarja kosovare kujton ditën kur i shpëtoi tragjedisë më të madhe (Video)
“Me të takohem vetëm spontanisht, sepse më nuk ka lidhë ndonjë gjë. Ne jemi takuar në burg, por aty unë nuk është se kam kërkuar të takohem me të, e as ai me mua, por në atë kohë i kemi pasur synimet e njëjta dhe sot na janë ndarë rrugët aq fort sa tash jemi ku jemi. Aty ku janë dy antipodet më të mëdha në vend”, ka thënë Kurteshi.
Kurteshi ishte i burgosur politik nga viti 1983. Ai kishte qëndruar 7 vite e dy muaj në burg, ani pse ishte dënuar për 9 vite.
“Në burg kam qenë i disiplinuar pasi që kam qenë në izolim dhe jam marrë me lexim të librave dhe me ushtrime fizike”, ka deklaruar Kurteshi.














