Kurti për deklaratën e Simiqit: Mund të jetë edhe në kuadër të euforisë së tij nga varrimi i Ratko Mlladiqit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se me zgjedhjen e Albulena Haxhiut në krye të Kuvendit ka nisur procesi i konstituimit të legjislaturës së 11-të.
Kurti tha se për përmbylljen me sukses të këtij procesi nevojitet dakordim mes subjekteve politike për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.
“Së pari u zgjodh Albulena Haxhiu, kryetare e Kuvendit e legjislaturës së 11-të. Me këtë rast filloi konstituimi i Kuvendit. Që të përmbyllet me sukses të plotë, duhet t’i zgjedhim edhe nënkryetarët, për këtë nevojitet dakordim”, tha Kurti.
Ai bëri të ditur se është në kontakt me liderët e partive politike, duke theksuar se i ka shkruar edhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, për një takim, ndërsa ka komunikuar edhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Unë jam në kontakt, përveçse me kryetarin e LDK-së, i kam shkruar edhe atij të PDK-së që të takohemi dhe në këtë mënyrë të kemi dakordim edhe për zgjedhjen e nënkryetarëve, meqenëse nevojitet edhe mbështetja e mazhorancës”, u shpreh ai.
Kurti tha se duhet të ketë qasje pozitive dhe konstruktive në mënyrë që Kuvendi të konstituohet sa më shpejt dhe të hapet rruga për formimin e Qeverisë.

Lexo edheArdian Gjini: Ju kemi thënë se ky skenar do të ndodhte, dështimi i seancës konstituive është skenar i planifikuar i Albin Kurtit dhe Listës Serbe
“Le të jemi pozitivë dhe konstruktivë dhe në këtë mënyrë të kemi Kuvend të konstituar, shpejt Qeveri të formuar dhe të kalojmë te zgjedhja e presidentit që duhet të bëhet, që t’i evitojmë zgjedhjet e reja”, tha Kurti.
Duke komentuar deklaratën e përfaqësuesit të Listës Serbe gjatë seancës, Kurti tha se ajo ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me betimin që deputeti kishte bërë.
“Siç e tha kryetarja e Kuvendit, deklarata e përfaqësuesit të Listës Serbe ishte në shpërputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ishte në shpërputhje me betimin që ai vetë e ka bërë”, deklaroi Kurti.












