“Janë deklaruar në Kuvend?”- Nagavci për Simiqin: Të mos ketë deklarata të tilla kundërkushtetuese

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka reaguar ndaj deklaratës së deputetit të Listës Serbe, Igor Simiq, se propozimi i kësaj partie për nënkryetar të Kuvendit bëhet “në emër të popullit serb”.
E pyetur nëse deklarata të tilla janë bërë edhe më herët në Kuvend, Nagavci fillimisht pyeti: “Janë deklaruar në Kuvend?”.
Më pas, ajo tha se kishte reaguar menjëherë pas deklaratës së Simiqit.
“Unë mund të deklaroj që, si deputete, me aq sa kuptoj gjuhën serbe, në deklaratën e menjëhershme të deputetit, unë kam reaguar menjëherë te kryetarja e Kuvendit dhe në diskutim me deputetët tjerë”, ka thënë Nagavci.
Sipas saj, një deklaratë e tillë duhet të adresohet dhe ajo beson se ishte e qëllimshme.

Lexo edheHamza: Të gjitha veprimet, PDK-ja do t’i bëjë në favor të 16 shtatorit
“Kjo do të thotë se një çështje e tillë duhet të adresohet, besoj se është e qëllimshme sepse, ndërkohë që deputeti Gruda tha se kjo nuk paraqet asnjë problem, pastaj zonja Vlora Çitaku në takim te kryetarja e Kuvendit e pa si problem një deklaratë të tillë…”, tha ajo.
Nagavci ka theksuar se përtej kësaj, LVV-ja është e interesuar që në Kuvend të mos ketë deklarata që, sipas saj, janë në kundërshtim me Kushtetutën.
“Pra, përtej asaj, ne jemi të interesuar që në këtë Kuvend të mos ketë deklarata të tilla kundërkushtetuese”, theksoi Nagavci. /Lajmi.net/












