Gjykata Kushtetuese e ka pranuar kërkesën e Presidentit Thaçi, duke shpallur vendimin e Qeverisë Kurti për kufizimin e lëvizjes, të pavlefshëm.
Sipas njoftimit, vendimi i Qeverisë për kufizim të lëvizjes i 23 marsit nuk është në përputhshmëri me nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës në lidhje me nenet 35 [Liria e Lëvizjes], 36 [E drejta e Privatësisë] dhe 43 [Liria e Tubimit] dhe nenet 8 (E drejta e jetës private dhe familjare), 11 (Liria e tubimit dhe asociimit) të KEDNJ-së dhe nenin 2 (Liria e lëvizjes) të Protokollit nr. 4 të KEDNJ.
Ky aktgjykim sipas vendimit hyn në fuqi më 13 prill, çka do të thotë se deri më këtë datë vazhdon “ora policore”, njofton FaktePlus.
“Duke u bazuar në nenet 116.3 të Kushtetutës, 20.5 i Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe rregullin 60 (5) të Rregullores së punës, Gjykata përcaktoi datën 13 prill 2020, si datë të hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi, respektivisht shfuqizimit të Vendimit të kontestuar të Qeverisë”, thuhet në njoftim.
Megjithatë Kushtetuesja ka bërë të ditur se kjo vlen përjashtimisht dhe duke marrë parasysh “(i) rrethanat e krijuara me shpalljen e pandemisë COVID-19 në nivel botëror; (ii) rekomandimet përkatëse të institucioneve shëndetësore në nivel shtetëror dhe botëror; (iii) pasojat potencialisht të dëmshme për shëndetin publik si rezultat i shfuqizimit të menjëhershëm të kufizimeve të përcaktuara përmes Vendimit të Qeverisë; dhe (iv) mbrojtjen e shëndetit dhe interesit publik deri në zbatimin e këtij Aktgjykimi nga institucionet relevante të Republikës së Kosovës”, thotë njoftimi.
Vendimi tutje thotë që Ministria e Shëndetësisë, respektivisht Qeveria vazhdon të jetë e autorizuar që të nxjerr vendime me qëllim të parandalimit dhe luftimit të pandemisë, për aq sa është e autorizuar përmes të Ligjit nr. 02/L-109 për Luftimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse dhe Ligjit nr. 04/L-125 për Shëndetësi.