Kryeparlamentari Veseli vuri gurthemelin e shkollës së re “Ismet Rraci” në Klinë

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot ka vënë gurthemelin e shkollës së re “Ismet Rraci” në Klinë.
Kryeparlamentari Veseli ka thënë se investimi në edukim është interes nacional i shtetit tonë të ri.
Sipas kryeparlamentarit Veseli, investimi në infrastrukturën fizike është i domosdoshëm, por ajo që Kosovës i duhet urgjentisht është edhe investimi në cilësinë e edukimit, të cilin e marrin fëmijët dhe të rinjtë tanë.
“Shkolla që sot po përurojmë, mbanë emrin e një burri të nderuar të Klinës, një aktivisti të palodhur për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, emrin ish-kryetarit të komunës së Klinës”, ka thënë kryeparlamentari Veseli.
Kreu i Kuvendit ka thënë se raportet e fundit ndërkombëtare flasin për një gjendje jo të kënaqshme në këtë fushë.
“E kam fjalën për studimin e organizatës ndërkombëtare ‘PISA’, e cila na radhitë shumë poshtë në matjen e nivelit të shkathtësive dhe diturive që fitojnë sot fëmijët në shkollat tona. Këtë gjendje nuk mund ta tolerojmë. Nuk mund të ketë më justifikime për mosveprim në reformimin e sistemit edukativ në Kosovë”, është shprehur Veseli.
Lexo edheKMDLNJ: KEDS po i plaçkit qytetarët
Kryeparlamentari Veseli ka thënë se Kosova ka mundësi dhe kapacitete për të ndryshuar gjendjen. Investimi në edukim, ka shtuar Veseli, është investim në të ardhmen e shtetit.
“Ne duhet të punojmë që fëmijët tanë të marrin një edukim bashkëkohor, në mënyrë që nesër ata të mund të jenë konkurrentë me moshatarët e tyre në tregun e Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.
Duke i uruar arsimtarët dhe nxënësit për nisjen e punimeve për ndërtimin e shkollës së re në Klinë, kryeparlamentari Veseli ka kërkuar nga ta që me punë ta nderojnë emrin që mbanë kjo shkollë.














