Vdekja e kongresistit Eliot Engel ka prekur Kosovën dhe popullin e saj. Pas lajmit për vdekjen e tij, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një minutë heshtje, derisa është kujtuar kontributi i madh i Engel në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.
Liderët politikë dhe institucionalë të Kosovës kanë ngushëlluar familjen dhe miqtë e ish-zyrtarit të lartë amerikan, duke shprehur mirënjohjen e tyre dhe të popullit shqiptar.
Në reagimet e tyre, ata kanë vlerësuar rolin e madh që Engel kishte luajtur në raport me Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi.
Ata kanë bërë me dije se ai ishte një mik i madh i Kosovës dhe një zë i fuqishëm i shqiptarëve në ShBA.
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, e ka vlerësuar lartë rolin e Engel në procesin e çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës.
Në profilin e saj në Facebook, Haxhiu ka shkruar se Engel ishte një aleat i vendosur i Kosovës në çdo etapë.
“Kosova sot humbi mikun e dëshmuar, kongresistin amerikan, Eliot Engel, i cili ishte përkrahës i palëkundur i lirisë dhe shtetësisë sonë. Për më shumë se tri dekada në Kongresin amerikan, ai qëndroi në anën e drejtë të historisë. Nga thirrjet për ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 kundër regjimit të Sllobodan Millosheviq, te mbështetja për pavarësinë në vitin 2008 dhe konsolidimin e shtetit tonë, Engel ishte një aleat i vendosur i Kosovës në çdo etapë. Në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Engel dhe për popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kujtimi dhe kontributi i tij do të mbeten pjesë e përhershme e historisë sonë”, ka shkruar Haxhiu.
Kontributin e Engel e kanë përkujtuar edhe liderët e opozitës.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka vlerësuar se Engel i qëndroi pranë Kosovë në kohen kur shkruhej historia.
“Sonte u nda nga jeta një mik i veçantë i Kosovës, Eliot Engel, i cili qëndroi pranë nesh në kohën kur po shkruhej historia. Ai ishte zëri i drejtësisë për ne në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Miqësia dhe kontributi i tij nuk do të harrohen kurrë. Ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij! Prehu në paqe, mik i madh!”, ka shkruar Hamza në Facebook.
Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka shprehur ngushëllime.
Sipas tij, angazhimi i Engel për Kosovën ishte i pandalshëm.
“Në vitet më vendimtare për fatin e popullit tonë, ai ishte një nga zërat më të fuqishëm dhe më të vendosur në mbrojtje të së drejtës sonë për liri. Nuk u tërhoq në asnjë moment kritik; përkundrazi, qëndroi fort, me bindje të palëkundur, në anën e drejtë të historisë. Angazhimi i tij i pandalshëm për Kosovën e vendos atë ndër miqtë më të mëdhenj që kemi pasur ndonjëherë”, ka shkruar Abdixhiku.
Kurse, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar se shqiptarët gjatë gjithë jetës do t`i jenë mirënjohës kongresistit Engel.
“Miku i madh i shqiptarëve, kongresisti Eliot Engel, gjatë gjithë angazhimit të tij jetësor, u përkushtua ndaj çështjes së Kosovës dhe të shqiptarëve. Shqiptarët do të jenë gjithmonë mirënjohës për kontributin e tij historik dhe të pazëvendësueshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe ai do të kujtohet gjithmonë si ikonë e miqësisë së përjetshme me SHBA-në. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Engel, bashkëpunëtorëve dhe komunitetit shqiptaro-amerikan. U prehtë në paqe!”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në Facebook./Lajmi.net/