Kosova e varur nga mishi brazilian, ndërsa BE-ja vendos kufizime

Mbi 50 milionë euro mish gjedhi dhe pule nga Brazili ka importuar Kosova vetëm në shtatë muajt e parë të këtij viti.
Brazili është furnizuesi më i madh i Kosovës me këto produkte, por nga 3 shtatori një pjesë e eksporteve të tij me origjinë shtazore do të përballet me kufizime në Bashkimin Evropian.
Arsyeja lidhet me rregullat e BE-së për përdorimin e antimikrobikëve te kafshët që përfundojnë në zinxhirin ushqimor.
Shqipëria ka njoftuar se do të zbatojë masa të ngjashme nga e njëjta datë.
Kosova, deri më tani, nuk ka njoftuar për ndonjë masë, ndonëse një pjesë e konsiderueshme e mishit që importon, vjen pikërisht nga ky shtet i Amerikës Jugore.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, nga janari deri në korrik të vitit 2026, vlera e mishit të gjedhit dhe të pulës të importuar nga Brazili ka kaluar 50 milionë euro.
Për krahasim, importet e këtyre dy llojeve të mishit nga të gjitha shtetet e tjera së bashku kanë arritur në mbi 65 milionë euro gjatë së njëjtës periudhë.
Në këto shifra nuk përfshihen kafshët e gjalla që importohen për therje dhe as produktet e përpunuara të mishit të gjedhit dhe të pulës.
Pse BE-ja po vendos kufizime?
Sipas rregullave të Bashkimit Evropian, kafshët e gjalla dhe produktet me origjinë shtazore që importohen nga vendet e treta nuk duhet të vijnë nga kafshë të trajtuara me produkte antimikrobiale për nxitjen e rritjes ose rritjen e prodhimit.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian tha për Radion Evropa e Lirë se, nga 3 shtatori 2026, të gjitha kafshët dhe produktet me origjinë shtazore për konsum njerëzor që eksportohen drejt BE-së, duhet t’i përmbushin këto kërkesa.
“Brazili u përjashtua nga lista e vendeve të autorizuara, sepse nuk kishte vendosur masat e nevojshme për t’i dhënë BE-së garanci se rregullat për përdorimin e antimikrobikëve janë respektuar gjatë gjithë ciklit jetësor të kafshëve”, thuhet në përgjigjen e Komisionit Evropian.
Antimikrobikët janë substanca që përdoren për të luftuar mikroorganizmat që shkaktojnë sëmundje.
Në këtë grup bëjnë pjesë edhe antibiotikët.
Profesori i sigurisë ushqimore në Universitetin e Prishtinës, Sali Salihu, thotë se përdorimi i pakontrolluar i antibiotikëve në blegtori mund të favorizojë krijimin e baktereve rezistente, të cilat mund të kalojnë te njerëzit edhe përmes zinxhirit ushqimor.
“Kur bakteret bëhen rezistente ndaj antibiotikëve, trajtimi i infeksioneve te njerëzit bëhet shumë më i vështirë dhe sëmundja mund të zgjasë më shumë”, thotë Salihu për REL-in.
Për këtë arsye, ai vlerëson se edhe Kosova duhet t’i shqyrtojë masat e ndërmarra nga Bashkimi Evropian, sidomos për shkak të varësisë së madhe nga importet braziliane.
“Kosova duhet t’i harmonizojë edhe ligjet, edhe vendimet me BE-në”, thotë ai.
A duhet Kosova ta ndjekë BE-në?
Kosova nuk është anëtare e Bashkimit Evropian dhe, ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, nuk e ka statusin e vendit kandidat, ndonëse ka aplikuar për anëtarësim në dhjetor të vitit 2022.
Komisioni Evropian sqaron se masa për importet zbatohet për shtetet anëtare të BE-së.
“Në kuadër të negociatave për anëtarësim në BE, vendet kandidate do të duhet të harmonizojnë plotësisht legjislacionin e tyre me kërkesat e BE-së deri në momentin e anëtarësimit”, thuhet në përgjigjen e Komisionit.
Ministria e Bujqësisë e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse po shqyrton masa të ngjashme ndaj importeve nga Brazili.
Çfarë do të ndodhte nëse kufizohen importet?

Lexo edheAli Ahmeti: Në Arau të Zvicrës u vendos që të gjitha njësitet të vepronin nën një mekanizëm – UÇK-në
Çdo kufizim eventual ndaj mishit brazilian do të prekte një treg që tashmë varet në masë të madhe nga importet.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, prodhimi vendor i mishit mbulon vetëm 34.2 për qind të nevojave për konsum, ndërsa konsumi vjetor i mishit është rreth 35.7 kilogramë për banor.
Mishi i importuar nga Brazili gjendet në markete dhe mishtore, por, sipas Salihut, përdoret veçanërisht në sektorin e gastronomisë, ndër të tjera për shkak të çmimit më të ulët.
Derisa një kilogram mish i freskët i gjedhit në mishtore mund të kushtojë deri në 15 euro, mishi i ngrirë i importuar nga Brazili mund të blihet për më pak se 10 euro për kilogram.
Salihu ngre pikëpyetje për cilësinë dhe mënyrën e trajtimit të mishit të importuar.
“Mishi i importuar nuk ka një garanci të cilësisë. Në shumicën e rasteve ai vjen i ngrirë, këtu përpunohet. Por, nuk e dimë se sa ka qëndruar në depot e Brazilit apo në shtetet e tjera të origjinës. Nuk e dimë as mënyrën e trajtimit të kafshëve, nëse janë përdorur aditivë, hormone apo antibiotikë”, thotë ai.
Përfaqësuesit e sektorit të hotelerisë paralajmërojnë për anën tjetër të problemit: nëse importet nga Brazili kufizohen pa burime alternative furnizimi, çmimet mund të rriten.
Kryetari i Odës së Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva, thotë se prodhimi vendor nuk është i mjaftueshëm për t’i plotësuar nevojat e tregut.
“Kosova nuk ka prodhim të mjaftueshëm të këtyre produkteve. Mungesë të mishit ka edhe në rajon, prandaj importohet nga Brazili”, thotë Sogojeva për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, shtrenjtimi eventual i mishit do të reflektohej edhe në bizneset e gastronomisë dhe hotelerisë.
“Bizneset shërbyese janë të interesuara të furnizohen me mish vendor, por kjo është e pamundur”, thotë ai.
A mund të jetë kjo një mundësi për prodhimin vendor?
Salihu thotë se mungesa e mishit të importuar nga Brazili mund të shfrytëzohet si mundësi për të rritur prodhimin vendor.
Sipas tij, për këtë nevojitet rritja e fondit blegtoral dhe mbështetja më e madhe e fermerëve.
“Fermerët duhet të investojnë në këtë sektor. Është në interesin e tyre që ky sektor të bëhet i rëndësishëm, sepse kërkesa në treg po rritet. Por, pastaj, edhe shteti duhet ta rrisë fondin blegtoral”, thotë Salihu.
Kosova i mbështet fermerët përmes subvencioneve dhe granteve investuese.
Sipas Raportit të Gjelbër, në vitin 2024, buxheti për Programin e Pagesave Direkte ishte mbi 66 milionë euro.
Në kuadër të skemave për blegtorinë, për lopët qumështore janë ndarë 90 euro për një në vit, për therjen e raportuar të gjedheve 50 euro për një dhe për viçat 25 euro për një.
Megjithatë, fondi blegtoral nuk ka shënuar rritje të qëndrueshme.
Në vitin 2025, Kosova kishte 241.423 gjedhe – rreth 20 mijë më pak se në vitin 2020.
Për Salihun, pikërisht këtu duhet kërkuar një pjesë e zgjidhjes për varësinë nga importet.
“Çdo fermer që do të shtojë numrin e viçave, qoftë për mish apo për qumësht, mund të ketë interes ekonomik. Kushtet janë, vetëm nevojitet interesimi dhe efektet do të jenë zinxhirore: fiton fermeri, ekonomia, por edhe qytetarët ushqehen me mish cilësor dhe të sigurt”, përfundon Salihu./rel












