Ministria e Jashtme e Maqedonisë ka shfrytëzuar kanalet diplomatike për të kërkuar nga Serbia që të përdorë emrin e drejtë kur i drejtohet Republikës së Maqedonisë, meqenëse në faturat e pagesave në Serbi, Maqedonisë u referohen si “Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (FYROM)”.
“Mollë sherri” për këtë vendim të Serbisë është bërë Kosova, kur dihet se Maqedonia ka njohur pavarësinë e shtetit. Daçiq ka thënë se fyese për Serbinë është edhe përdorimi i termit “Republika e Kosovës” në Maqedoni, duke arsyetuar kështu provokimin e hapur ndaj Maqedonisë.
“Përdorimi i emrit sipas atij akronimi, në vend të emrit Republika e Maqedonisë, është në kundërshtim me marrëdhëniet e vendosura diplomatike mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Serbisë”, është thënë në deklaratën e ministrisë maqedonase, ka raportuar agjencia e lajmeve MIA, transmeton Periskopi.
Maqedonia ka kërkuar përmirësimin e menjëhershëm të emrit, duke e marrë veprimin e Serbisë si provokim që ofendon ndjenjat e maqedonasve.
“Kjo moskonsistencë duhet menjëherë të përmirësohet. Ne besojmë se një provokim i tillë që ofendon ndjenjat e qytetarëve të Maqedonisë nuk është refkletim i një fqinjësie të mirë. Është e papërshtatshme dhe mosrespekt të përdorësh emra fyes ndaj fqinjëve”, ka theksuar ministria e jashtme maqedonase.
Ky reagim i Maqedonisë vjen po ashtu edhe pas një deklarimi të ministrit të jashtëm serb Ivica Daçiq, i cili më herët gjatë këtij muaji kishte thënë se shteti i tij kishte bërë gabim kur kishte njohur Maqedoninë sipas emrit të saj kushtetues në vend të FYROM – emër që përdorët edhe nga OKB-ja e BE-ja për t’iu referuar Maqedonise – kur dihet se Shkupi ka njohur pavarësinë e Kosovës, shkruan Periskopi.
Duke reaguar ndaj këtij deklarimi të Daçiqit, autoritetet maqedonase i bënë thirrje politikanëve serbë “që të sillen përgjegjshëm dhe të mos e nënçmojnë miqësinë mes dy shteteve”.
Më pas ka pasuar edhe reagimi i Daçiqit, i cili në një prononcim për gazetën serbe “Vecernje Novozti”, ka thënë se për Serbinë fyes është edhe termi “Republika e Kosovës”.
“E gjitha që kërkojmë është një marrëdhënie e sinqetë. Ata po protestojnë për faturat e pagesave – por çfarë të bëjmë lidhur me njohjen e tyre që ia kanë bërë Kosovës dhe votës së tyre në UNESCO”, është përgjigjur ministri i jahtëm serb, duke iu referuar përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë dhe ndihmës që ia dha Shkupi zyrtar me votën pro.
Po ashtu, Daçiq ka pyetur se si është e mundur që Maqedonia mbetet anëtare e OKB-së, Këshillit të Evropës, OSBE-së dhe se si vazhdon të ndjek takimet e BE-së, kur dihet se të gjitha këto organizata Maqedoninë e njohin si FYROM.
“Pse shkojnë dhe ulen atje kur njihen me këtë emër, dhe tash problem janë faturat tona të pagesave që e thonë të njëjtën? Serbia nuk e ka ndryshuar pozicionin në raport me Maqedoninë, por për Serbinë është fyese dhe turpërim kur ata thonë ‘Republika e Kosovës’”, ka përfunduar Daçiq. /Periskopi/