Gashi e thotë hapur: Do të jem kandidat për kryetar të LDK-së, nëse hapet gara

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka konfirmuar se synon të kandidojë për kryetar të partisë, në rast se procesi zgjedhor zhvillohet përmes një gare të hapur dhe demokratike.
Gashi e ka bërë këtë deklaratë në emisionin “Pressing” në T7, ku është pyetur nëse do të jetë kandidat për ta marrë drejtimin e LDK-së, transmeton lajmi.net.
“Gjasat maksimale janë që po, nëse do të kemi një garë të mirëfilltë, të hapur dhe demokratike. Nëse nuk ka konsensus për ndonjë kryetar, hapet gara dhe do të jem. Nëse do të ketë konsensus paraprak në kompromis, nuk duhet të jemi destruktivë. Nëse hapet gara, do të jem kandidat”, ka deklaruar Gashi.
Deklarata e tij vjen në kohën kur brenda LDK-së po zhvillohet debat për të ardhmen e partisë dhe procesin e zgjedhjeve të brendshme.

Lexo edheHyjnë në fuqi masat e reja për protestat në Shqipëri, deri në 500 mijë lekë gjobë për protestuesit e maskuar që nuk i binden policisë
Ditë më parë, Gashi kishte bërë thirrje për një fillim të ri në LDK, duke kërkuar një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, ku secili anëtar të ketë të drejtën për të kandiduar dhe ku vendimi për udhëheqjen të merret përmes votës së lirë. Ai kishte theksuar gjithashtu nevojën për dialog dhe rregulla të barabarta për të gjithë kandidatët.
Me deklarimin e fundit, Gashi e ka bërë të qartë se është i gatshëm të hyjë në garë për kryetar të LDK-së, nëse nuk arrihet paraprakisht një konsensus për udhëheqjen e partisë. Ai ka theksuar se, në rast të një marrëveshjeje kompromisi, nuk duhet të ketë pengesa për arritjen e saj, ndërsa nëse gara hapet, do të jetë pjesë e saj./lajmi.net/












