“Është përfolur se Ramush Haradinaj ushtron dhunë ndaj gruas së tij” – Anita Muçaj i drejtohet Arjeta Fejzës: Tërhiqe deklaratën dhe kërko falje, ndryshe shihemi në gjykatë

Gazetarja Anita Muçaj i ka reaguar deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, pas deklaratave të kësaj të fundit, në të cilat ka thënë se “është përfolur se Ramush Haradinaj ushtron dhunë ndaj gruas së tij Anita Muçaj”.
Përmes një reagimi publik, Muçaj i ka cilësuar deklaratat serioze, duke kërkuar që ato të trajtohen me përgjegjësi. Ajo i ka bërë thirrje deputetes që ta tërheqë deklaratën, të distancohet prej saj dhe të kërkojë falje publike, duke paralajmëruar se, në të kundërtën, do t’u drejtohet organeve kompetente, transmeton lajmi.net.
Muçaj ka theksuar se nuk dëshiron që kjo çështje të shndërrohet në një përplasje personale apo debat të panevojshëm politik, por ka shtuar se nuk do të heshtë përballë deklaratave që, sipas saj, cenojnë figurën dhe reputacionin e saj.
Ajo ka rikujtuar se në jetën publike liria e shprehjes duhet të shoqërohet me përgjegjësi dhe se çdo pretendim që prek individët dhe familjet e tyre duhet të mbështetet në fakte dhe prova.
Në reagimin e saj, gazetarja ka paralajmëruar gjithashtu se, nëse nuk merr një përgjigje të përshtatshme dhe një kërkimfalje publike nga deputetja, do të ndjekë rrugët ligjore që i takojnë.
Postimi i plotë i Anita Muçajt:
SHPIFJET NUK KALOJNË!
Në jetën publike, përgjegjësia për fjalën është po aq e rëndësishme sa e drejta për ta thënë atë!
Si gazetare dhe si person që për shumë vite kam qenë pjesë e jetës publike, e di mirë dallimin ndërmjet debatit politik, mendimit të lirë dhe deklaratave që mund të cenojnë padrejtësisht dinjitetin dhe reputacionin e një personi.

Lexo edheMatoshi: Dobësimi i Vuçiqit mund të ndikojë në Kosovë, por Lista e Studentëve mbetet e paqartë për raportet me Perëndimin
Deklaratat e bëra nga deputetja Arjeta Fejza, të cilave iu referohem në këtë reagim, i konsideroj serioze dhe kërkoj që ato të trajtohen me përgjegjësi! Askush, pavarësisht pozitës politike që mban, nuk duhet ta konsiderojë veten mbi standardet e përgjegjësisë publike.
Unë nuk kam ndërmend të hyj në një përplasje personale dhe as ta kthej këtë çështje në një debat të panevojshëm politik. Megjithatë, nuk dua të hesht përballë deklaratave që cenojnë figurën dhe reputacionin tim.
Po ashtu, kur deklaratat përfshijnë apo prekin figurën dhe familjen, kam të drejtë të kërkoj që faktet të respektohen dhe që çdo pretendim të mbështetet në prova, e jo në insinuata apo akuza të pabazuara.
Prandaj, të kërkoj publikisht, zonja “Deputete”, që ta tërheqësh deklaratën, të distancohesh dhe të kërkosh falje publike për shpifjen dhe akuzat e pabaza, sepse ato rezultojnë të pavërteta dhe cenojnë të drejtat tona!
Në mungesë të një reagimi të përshtatshëm, të një kërkimfaljeje publike dhe të distancimit tuaj nga ajo që keni deklaruar publikisht në një televizion kombëtar, unë obligohem dhe do t’ua besoj organeve kompetente vlerësimin e kësaj çështjeje, pra do të ndjek rrugët ligjore që më takojnë!
Dinjteti nuk negociohet. Reputacioni nuk duhet të bëhet viktima e interesave politike. Dhe përgjegjësia për fjalën publike nuk është privilegj, por detyrim./lajmi.net/












