Komuna e Drenasit: Ramiz Lladrovci inaugurohet kryetar të enjten

Ramiz Lladrovci, fituesi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Komunën e Drenasit, të enjten merr detyrën e re në drejtimin e Komunës.
Kjo është bërë e ditur nga Komuna e Drenasit, e cila ka ftuar mediat e shkruara dhe elektronike të marrin pjesë në mbledhjen inauguruese në dhënien e betimit të kryetarit të ri të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.
“Betimi i Kryetarit të Komunës do të bëhet me datën 29.12.2016 (e enjte) duke filluar në ora 13:00 në Sallën e Kuvendit të Komunës (objekti i ri i Komunës, kati përdhesë)”, thuhet në këtë njoftim.

Lexo edheVesesli, Lladrovci e Demaku për Krishtlindje në Llapushnik
Lladrovci ia doli të fitonte zgjedhjet në këtë komunë vetëm pas raundit të dytë të balotazhit kundër kandidatit të Nismës për Kosovën, Isa Xhemajli. Zgjedhjet e jashtëzakonshme në këtë komunë u zhvilluan pasi kryetarit të deritashëm të Drenasit, Nexhat Demaku, Gjykata e Apelit ia vërtetoi dënimin me tre vjet burgim në rastin “Drenica 2”.














