Nga Zhegra e Gjilanit në majat e botës – Rexhep Rexhepi fiton çmimin më prestigjioz të orëve në Gjenevë
Mjeshtri i njohur i orëve, Rexhep Rexhepi, me prejardhje nga Zhegra e Gjilanit, ka shënuar një tjetër sukses të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare, duke fituar çmimin më të lartë në industrinë e orëve luksoze.
Rexhepi është shpallur fitues i çmimit prestigjioz “Aiguille d’Or” në ceremoninë Grand Prix d’Horlogerie de Genève, e cila u mbajt më 7 nëntor në Gjenevë të Zvicrës, raporton lajmi.net
Ky çmim konsiderohet vlerësimi më i lartë në botën e orëve dhe ceremonia njihet ndryshe edhe si “Oscarët e orëve”.
Mjeshtri nga Kosova triumfoi me krijimin e tij “Chronographe Flyback”, duke lënë gjurmë në një nga ngjarjet më të rëndësishme të kësaj industrie.
Rrugëtimi i Rexhepit drejt suksesit nisi larg vendlindjes së tij.
I lindur në vitin 1987 në Zhegër të Gjilanit, ai u shpërngul me familjen në Gjenevë në moshën 12-vjeçare. Edhe pse në fillim nuk e njihte gjuhën, ai arriti të ndërtonte një karrierë të suksesshme në një prej qendrave më të njohura botërore të prodhimit të orëve.
Lexo edhePërfundon rotacioni i 36-të i KFOR-it, komanda në Bondsteel i kalon kolonelit Jabari Miller
Hapat e parë profesionalë i bëri si praktikant në kompaninë prestigjioze Patek Philippe, ndërsa më vonë punoi përkrah orëndreqësit të njohur François-Paul Journe.
Në vitin 2012, kur ishte vetëm 25 vjeç, Rexhepi vendosi të hapte punëtorinë e tij në Gjenevë, duke nisur rrugëtimin si krijues i pavarur i orëve.
Puna dhe përkushtimi i tij u kurorëzuan me çmimin kryesor në ceremoninë e këtij viti, ku u ndanë gjithsej 20 çmime.
Në mesin e emrave të mëdhenj të industrisë që u vlerësuan gjatë ceremonisë ishin edhe Audemars Piguet, Chopard dhe Louis Vuitton./Lajmi.net/


