Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka deklaruar se vizita e kongresmenëve amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam në Preshevë paraqet një moment me rëndësi të veçantë për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe për të ardhmen demokratike të rajonit.
Në një reagim pas takimit, Kamberi tha se vizita po zhvillohet në një periudhë kur shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë vazhdojnë të përballen me politika diskriminuese dhe përjashtuese nga pushteti në Beograd.
“Për vite me radhë, pushteti në Serbi ka ndërtuar një qasje sistematike të margjinalizimit ndaj shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë: pasivizim administrativ të adresave për të zvogëluar artificialisht praninë shqiptare, përjashtim nga institucionet shtetërore, diskriminim ekonomik, moszhvillim të qëllimshëm dhe mohimin e të drejtave elementare kombëtare e gjuhësore si të drejta identitare”, ka deklaruar Kamberi.
Ai ka theksuar se ekziston një standard i dyfishtë në raportin e Serbisë me shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe serbët në Kosovë.
“Ndërkohë që Beogradi kërkon standarde të larta për serbët në Kosovë, të njëjtat standarde refuzon t’i zbatojë për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Ky dualizëm politik e moral nuk mund të vazhdojë pafundësisht”, u shpreh ai.
Sipas Kamberit, bashkë me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, kanë ngritur shqetësimet për mungesën e barazisë dhe mosrespektimin e marrëveshjeve të arritura ndër vite.
“Bashkë me kryetarin e Këshillit Kombëtar, Enkel Rexhepi, kemi ngritur zërin kundër kësaj politike diskriminuese, duke kërkuar barazi reale, përfaqësim proporcional dhe respektim të marrëveshjeve të nënshkruara. Fatkeqësisht, regjimi aktual në Beograd vazhdon t’i trajtojë shqiptarët si problem politik e jo si qytetarë të barabartë”, deklaroi deputeti shqiptar.
Ai vlerësoi lart edhe angazhimin amerikan dhe iniciativën për projektligjin HR 6411 në Kongresin Amerikan, duke e cilësuar si një mbështetje të rëndësishme për shqiptarët e Luginës.
“Ky ligj nuk është vetëm mbështetje për shqiptarët e Luginës së Preshevës; ai është një mesazh i qartë se diskriminimi, autoritarizmi dhe standardet e dyfishta nuk mund të jenë pjesë e së ardhmes evropiane të Serbisë”, tha Kamberi.
Deputeti shqiptar paralajmëroi se vazhdimi i heshtjes ndërkombëtare ndaj problemeve në Luginën e Preshevës mund të sjellë pasoja afatgjata për rajonin.
“Heshtja ndaj padrejtësive në Luginën e Preshevës vetëm sa e forcon pasigurinë, emigrimin dhe destabilitetin afatgjatë në rajon. Shqiptarët e Luginës së Preshevës mbeten të përkushtuar ndaj paqes, bashkëjetesës dhe orientimit euro-atlantik. Por pa barazi reale, pa zhvillim ekonomik dhe pa respektim të marrëveshjeve të arritura, vazhdon rreziku i zbrazjes demografike dhe i humbjes së besimit në institucionet ndërkombëtare”, deklaroi ai.
Në fund, Kamberi tha se në takimin e sotëm në Preshevë nuk është diskutuar vetëm për problemet e shqiptarëve në Luginë, por edhe për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.
“Në Preshevë sot nuk kemi folur vetëm për problemet e saj, por edhe për nevojën që Ballkani Perëndimor të ndërtohet mbi drejtësi, barazi dhe standarde të njëjta për të gjithë qytetarët. Simetria në të drejta është koncepti politik që garanton paqe afatgjate. Koha e standardeve të dyfishta duhet të marrë fund”, përfundoi Kamberi.