Kryetari i PDK-së Kadri Veseli, gjatë ditës së sotme ka vizituar Skenderajn, ku është takuar me strukturat e reja të kësaj partie, ku ka falenderuar për zgjedhjet që u mbajtën brenda PDK-së në Skenderaj, përcjellë Drenica Press.
Në këtë takim Kadri Veseli kërkoi që të përkrahet Sami Lushtaku dhe Partia Demokratike e Kosovës, sidomos në Skenderaj, pasi kjo parti sipas tij e ka ndryshuar Skenderajn për të mirë.
“ Ne duhet të gjithë të angazhohemi me politika të cilat janë vizionare që të arrijmë paqe të qëndrueshme në shtetin tonë të pavarur dhe sovran. Në shtetin tonë të pacenuar, qoftë në territor, qoftë institucional. Kjo i bie që asnjë milimetër e shtetit të Kosovës mos të preket, për aq sa institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të lejojnë që të ketë një pushtet të tretë, pushtet ekzekutiv, Republika Serbe në Republikën tonë. Marrëveshje paqësore, shtetet tona të jetojnë në paqe, për aq sa të drejtat e qytetarëve tanë, Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit të respektohen ashtu siç ne i respektojmë serbët në Kosovë do t’i ruajmë këto të drejta, por më shumë nuk do të japim. Ky është qëndrimi i PDK-së, ky është dhe qëndrimi i gjithë qytetarëve të Kosovës”, tha ai.
“Serbia po, duhet me u përgjigj një për një për gjenocidin serb që e ka kryer në Kosovë. Serbia, po duhet me u përgjigj për ato krime që i ka kryer në Kosovë për të ditur që më kurrë më s’do të kthehet në Kosovë. Por, të njëjtën kohë duhet të mendohet për një të ardhme më të mirë”, shtoi Veseli.
&;