Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, ka folur për procesin në Hagë dhe funksionimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës atje.
Me përvojën në sistemin juridik vendor, Hasani vë në pah se procesi në Hagë ka specifika procedurale që dallojnë nga ato të gjykatave në Kosovë, me rregulla të veçanta jashtë Kodit të Procedurës Penale.
Ai vlerëson se procesi në Hagë do të përmbyllet për një kohë të shkurtër, duke marrë parasysh se shumë çështje janë trajtuar në procedurat e mëhershme, ndërsa numri i provave po shkon duke u kufizuar.
“Procesi atje ka disa specifika që dallojnë nga procedurat që i kemi ne këtu në gjykatën tonë, ngase ne e kemi shqyrtimin fillestar dhe kryesor. Ata i kanë rregullat e veçanta të zhvillimit të procesit, të cilat janë jashtë Kodit të Procedurës Penale. E keni parë – ka vendosur gjyqtari i procedurës paraprake për themelin e aktakuzës. Pastaj, çështja kur është trajtuar, është konsideruar se i plotëson kushtet formale dhe ka kaluar në gjykatë. Më pas, gjykata, siç e dini, me dëshmitarë, pothuajse dy herë e trajton çështjen e dëshmitarëve”, tha ai për RTK.
Ish-kryetari i Gjykatës Supreme e cilëson këtë gjykatë si një strukturë “sui generis”, pa bazë në sistemin juridik të Kosovës, duke theksuar se asnjë ligj i Kosovës nuk zbatohet në këtë gjykatë – përfshirë ligjet për buxhetin, arkivat dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
“Nëse e merr Tribunalin për ish-Jugosllavinë, apo Tribunalin e Ruandës për krimet që janë kryer mes pakicave Hutu dhe Tutsi në Ruandë – ato janë gjykata ndërkombëtare sepse janë themeluar nga OKB-ja. Kur e merr këtë gjykatë – Dhomat e Specializuara – janë themeluar, por vetëm emrin e kanë të Kosovës. Asnjë ligj tjetër i Kosovës nuk vlen. Nëse i merrni – prokurorët janë ndërkombëtarë, gjyqtarët, Ombudspersoni ndërkombëtar, Gjykata Kushtetuese nuk vlen, as ligji për bashkëpunim ndërkombëtar nuk vlen, as për menaxhimin e buxhetit, as për arkivat. Asnjë ligj që do t’i jepte atribute të një gjykate të Kosovës nuk e përfshin këtë gjykatë të specializuar”, th ai, raporton RTKlive.
Themelimi i Dhomave të Specializuara me kompetenca të pakufizuara ka mundësuar shmangien e ligjeve vendore dhe krijimin e rregullave të brendshme të pavarura, jashtë normave të Kodit të Procedurës Penale.
“Me dorën tonë kemi themeluar një gjykatë të specializuar, të cilës i kemi dhënë liri absolute që të ndërtojë rregulla të brendshme pa përfillur asnjë standard mbi të cilin është ndërtuar e drejta penale ndërkombëtare. Për shembull, ai thotë se të gjitha provat që janë mbledhur para themelimit të Dhomave të Specializuara – që i ka mbledhur kryetari i asaj Task Force, Williamson – edhe nëpër kafene, pastaj të gjitha provat që i ka siguruar Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi që lidhen me çështjet në Kosovë, janë prova. Dhe çdo provë tjetër që e konsideron të pranueshme Dhoma e Specializuar, mund të përdoret”, tha ai.
Hasani vlerëson se Kosova do të duhej ta kishte themeluar një gjykatë ku do të gjykoheshin të gjitha krimet e pretenduara gjatë luftës në Kosovë – dhe jo vetëm hetimi i krimeve të supozuara të UÇK-së.