IFIMES: Shkon Thaçi, vjen Kurti?
Instituti ndërkombëtar për studime ballkanike e të Lindjes së Afërt (IFIMES) nga Lubjana lidhur me zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë më 11 qershor, vlerëson se “plani i shteteve udhëheqëse të botës është që nga skena politike e Kosovës të eliminohet shumica e liderëve aktualë, ndër të cilët edhe Hashim Thaçi, kryetari aktual kosovar”, transmeton Koha.net.
Në analizën me titull “Kosova: Paralajmërimi i ndryshimeve tektonike në skenën politike”, IFIMES, siç përcjell novosti i Beogradit, përkujton se nuk është vënë në funksion Gjykata Speciale dhe Prokuroria për krime lufte me të cilat do të procedoheshin edhe supozimet nga hetimet nga Këshilli i Europës për trafikimin e organeve edhe pse Kuvendi që në prillin e vitit 2014, ka miratuar projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës e BE-së për sundimin e ligjit me të cilën parashihet formimi i asaj Gjykate e Prokurorie.
“Pa përcaktimin e të vërtetës, nuk ka realizim të së drejtës dhe arritje të pajtimit në Kosovë. Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, plani i vendeve udhëheqëse të botë është që nga skena politike e Kosovës të eliminohet shumica e liderëve aktualë, ndër të cilët edhe Hashim Thaçi, kryetari aktual kosovar”, konsiderohet në Institutin e Lubjanës.
Në analizë theksohet se “për shkak të gjendjes katastrofike në drejtësinë kosovare, nuk është e mundur të procedohen bërësit e krimeve të luftës, bartësit e krimit të organizuar e të korrupsionit”.
“Çerdhja e kriminalitetit në Kosovë gjendet në Agjencinë për privatizim, në sferën e tenderëve publikë, në kompanitë publike, kontrollimin e doganave … Kriminaliteti në Kosovë i ka rrënjët që nga Qeveria në mërgim”, përcjell Koha.net vlerësimin e IFIMES.
Përkujtohet se në zgjedhjet e shkuara parlamentare të vitit 2014, Thaçi kishte premtuar 200 mijë e Isa Mustafa 120 mijë vende të reja pune, ndërsa në “vend të kësaj ndodhi vala e re e shpërnguljes masive nga Kosova në vendet perëndimore të Europës”.
“Qeveria aktuale nuk ia ka dalë të zgjidhë asnjë çështje kyçe të Kosovës e i ka hapur tri tema kryesore për përparimin e Kosovës: Zgjidhjen e Marrëveshjes për demarkacion për kufirin ndërmjet Kosovës e Malit të Zi, formimin e Asociacionit të Komunave serbe (AKS) dhe formimin e Ushtrisë së Kosovë”, thuhet në analizë.
IFIMES vlerëson se “pushteti kosovar ka pasur sukses të padukshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
Lexo edheKrasniqi: Jemi të bindur se Haradinaj do të udhëheq më mirë se Mustafa
“Sipas vlerësimeve të analistëve, Kosova është parajsë e veçantë për kriminelët për shkak të veprimit të dobët të institucioneve dhe lidhjeve të fuqishme të strukturave politike e kriminale. Ilustrues është rasti i Naser Kelmendit, kundër të cilit po zhvillohet procesi gjyqësor në Prishtinë me akuzën për vrasje. E Kelmendi është njëri nga narko- dilerët udhëheqës në Europë, për ç’shkak ai gjendet në “listën e zezë” amerikane, thotë Instituti i Lubjanës.
Lidhur me formimin e koalicioneve parazgjedhore në Kosovë, IFIMES thekson se hulumtimet e opinionit publik thonë se beteja në zgjedhjet paraprake do të zhvillohet ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe koalicioneve të tubuara rreth LDK-së e PDK-së.
“Votuesit e papërcaktuar janë të mendimit se duhet dënuar qeverinë aktuale (LDK – PDK) gjë që mund të sjellë çrregullime tektonike në skenën politike dhe ardhjen në pushte të Vetëvendosjes dhe të udhëheqësit të saj joformal Albin Kurti … Kjo situatë mund të sjellë eliminimin e plotë të kryetarit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili për këtë arsye ka hyrë në koalicion me Ramush Haradinajn (AAK) dhe Fatmir Limaj (Nisma), kundërshtarët e tij më idhnakë, që të mund të shpëtojë atë që mund të shpëtohet dhe kështu ka dëshmuar se qëllimin e vetëm e ka mbetjen në pushtet”, vlerëson instituti.
IFIMES shton se “pritet që votuesit të dënojnë koalicionin e tillë joparimor të ngarkuar me përplot hipoteka dhe i cili edhe deri më tash ka pasur rastin të tregojë çfarë mund të bëjë për Kosovën”.
“Për këtë arsye nuk duhet habitur në suksesin e ardhshëm të Lëvizjes Vetëvendosjes ”, thekson IFIMES dhe shton se nuk duhet befasuar që një ditë dialogun ndërmjet Beogradit zyrtar e Prishtinës ta përfundojnë Aleksandar Vuçiq dhe Albin Kurti (Vetëvendosje)”, thotë analiza.
Kështu, theksohet në analizë, “çështja e formimit të Asociacionit të Komunave serbe (AKS), demarkacioni i kufirit ndërmjet Kosovës e Malit të Zi si dhe themelimi i Ushtrisë së Kosovës, sipas të gjitha gjasave do të zgjidhet në pako”, me ç’rast “përfaqësuesit zyrtarë të bashkësive minoritare do të kenë rol të rëndësishëm“./Koha.net/














