Haradinaj planifikon mbledhje anti-kushtuese të qeverisë të cilën e rrëzoi vetë
Për këtë të premte, ish-kryeministri Ramush Haradinaj planifikon të thërrasë mbledhjen e radhës të qeverisë që vetë e rrëzoi.
Disa burime kanë konfirmuar për KTV-në që Haradinaj planifikon t’i mbledhë ministrat e kabinetit në një mbledhje të radhës.
Nëse vazhdohet përpara me këtë plan, mbledhja e qeverisë do të mbahej një javë pasi që Haradinaj, në të njëjtin vend dha dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryeministrit, raporton KTV.
Neni 95.5 i Kushtetutës thotë se me dorëheqjen e kryeministrit, qeveria që udhëheq ai ose ajo, rrëzohet e tëra.
Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”, thotë Neni 95.5 i Kushtetutës së Kosovës.
Kushtetuta nuk ofron afate për mandatimin e kryeministrit të ri, në rast të dorëheqjes së kryeministrit paraprak.
Njohësit e rrethanave thonë se Kosova nuk ka qeveri, pas dorëheqjes së kryeministrit, dhe se Haradinaj nuk është në detyrë.
Lexo edheShala: Thaçi është kryetar i PDK-së
Analisti në Institutin GAP, Bekim Salihu, në një sqarim për Koha.net tha se “termi kryeministri në dorëheqje” nuk ekziston dhe se Haradinaj është ish-kryeministër.
Salihu thotë se vetëm në nenin 100, pika 6, thuhet se “nëse mocioni i mosbesimit votohet për Qeverinë në tërësi, Qeveria konsiderohet në dorëheqje”.
Edhe analisti Albert Krasniqi ka thënë se qeveria ka rënë.
“Kushtetuta po bën dallim në mes të rastit kur: 1. Kryeministri jep dorëheqje; dhe 2. Votohet mocioni i mosbesimit për Qeverinë. Në rastin e parë, nuk kemi fare Qeveri, postet janë të zbrazëta, ministrat, zëvendësministrat dhe këshilltarët e tyre duhet t’i lirojnë menjëherë pozitat. Kjo qeveri nuk mund të marrë asnjë vendim. Në rastin e dytë, qeveria konsiderohet në dorëheqje, por që i ushtron detyrat deri në zgjedhjen e qeverisë së re. Kompetencat e qeverisë në largim nuk janë të kufizuara ligjërisht. Ramushi nuk është kryeministër në detyrë, por ish-kryeministër”, ka shkurar Krasniqi.
Haradinaj do të kthehet menjëherë nga Haga dhe ka thënë se, me t’u kthyer, do t’i hyjë garës politike për zgjedhjet e reja.














