Granit Xhaka dhe Zeki Amdouni janë bërë pjesë e një projekti të veçantë filmik përpara fillimit të Kupës së Botës, duke luajtur në filmin e shkurtër western “The Socceritos”, të realizuar nga kompania zvicerane Denner.
Në këtë produksion marrin pjesë edhe modelja dhe futbollistja kroate Ana Maria Markovic si dhe legjenda e kinematografisë botërore Terence Hill, shkruan Indeksonline

Premiera e filmit u mbajt të mërkurën në kinemanë Corso në Cyrih, ndërsa projekti ka tërhequr vëmendje të madhe në Zvicër për kombinimin unik mes futbollit dhe kinemasë.
Në film, Xhaka dhe Amdouni shfaqen përkrah Terence Hill në një aventurë në “Perëndimin e Egër”, ku luftojnë kundër ndalimit të futbollit në një qytet të vogël.
Xhirimet janë realizuar gjatë katër ditëve në Spanjë, në një skenografi klasike western, aty ku janë xhiruar edhe disa prej filmave ikonë të Terence Hill. Regjinë e ka bërë regjisori dhe skenaristi zviceran Reto Salimbeni.

Filmi është xhiruar në gjuhën angleze, ndërsa më pas aktorët dhe futbollistët kanë realizuar dublimet në disa gjuhë të ndryshme.
Një nga elementët më interesantë të projektit lidhet me zërin gjerman të Terence Hill. Me ndihmën e inteligjencës artificiale dhe me miratimin e familjes së aktorit të ndjerë Thomas Danneberg, produksioni ka rikrijuar zërin e tij legjendar për filmin.
Për Granit Xhakën, ky projekt përfaqëson një tjetër moment të veçantë jashtë fushës së futbollit, ndërsa kapiteni shqiptar vazhdon të mbetet një nga figurat më të njohura sportive në Zvicër dhe më gjerë./Indeksonline/
