Në kufirin Kosovë-Shqipëri këto ditë është arritur piku i fluksit të bashkatdhetarëve tanë nga vendet e perëndimit. Pas shumë orësh udhëtimi, bashkatdhetarët thonë se në përgjithësi kanë kaluar mirë, duke përjashtuar kufirin në Malin e Zi.
“Lodhje shumë, por krejt ka qenë në rregull, vetëm në Mal të Zi ishin rrugët e prishura dhe kemi hequr shumë për së tepërmi, i kemi bërë 9 km për katër orë e gjysmë”, tha Jeton Krasniqi, bashkatdhetar.
Edhe Mentor Morina ka thënë se vështirësi kanë pasur në Malin e Zi. “Pesë – gjashtë orë kemi bërë nga kufiri deri në Ulqin”, tha ai.
“Super, pak kolonë ama super. Kufiri i Malit të Zi gjithmonë ka pritje, një orë kemi pritur”, tha Elona Jusufi.
E Baftjar Morina ka thënë se nuk ka pasur shumë vonesa në pikat kufitare dhe ka kaluar mirë gjatë rrugës.
Këto ditë vere edhe diaspora e Shqipërisë dëshiron ta vizitojë Kosovën. Ardian Malshi ka kërkuar që të bëhen më shumë lehtësira në lëvizjet e qytetarëve Kosovë-Shqipëri.
“Jam mirditor. Kam ardhur të bëj një xhiro për në Kosovë, por radhë e madhe, duhet heq dogana. Kishte radhë të mëdha, kemi bërë gjysmë ore. Gjyshërit e mi e kanë bë pazarin këtu, unë erdha për herë të parë, gjeta doganën. Gjyshi s’ka pas doganë e unë po”, tha ai.
Me gjithë fluksin e pandërprerë, policia kufitare është duke operuar më tetë sportele.
“Janë shtuar kontrollet, po ashtu janë shtuar edhe korsitë, punohet me tetë korsi. Vonesa e një automjeti në kontroll të dokumenteve është maksimumi një minutë, ndërsa pritjet e mërgimtarëve janë maksimumi 20 minuta”, tha Shpend Qevani nga policia kufitare në Vërmicë.
Pajisja e automjeteve me targa të huaja me policën e sigurimit tashmë është bërë traditë. BKS ka shtuar personelin, me qëllim që këto ditë të fluksit të bashkatdhetarëve të mos humbet shumë kohë.
“Ka numër të madh të automjeteve, numrin e saktë nuk mundem ta them, por dominojnë Zvicra, Gjermania, Italia, vendet nordike, do të thotë kështu shkon radhitja. Shifrat janë aty siç kanë qenë në vitin e kaluar, vetëm se kemi dallim në kohën në të cilën kanë ardhur”, tha Agron Berisha nga Byroja Kombëtare e Sigurimit.
Vetëm në 24 orët e fundit, përmes Vërmicës, në Kosovë u futën 52 mijë persona, me 15 mijë vetura. Ndërkohë, gjithsej në hyrje dhe dalje u regjistruan 80 mijë persona me 25 mijë vetura./RTK/