Mekanizmi konstruktiv, që prej mbi 10 vitesh, me sukses e përpunon edhe sot e kësaj dite vrimën e motorit (që e mundëson shpejtësinë e sigurtë deri mbi 330 km/h), është konstruktuar nga Faton Piraj, opojani nga fshati Plavë, komuna e Dragashit. Pra është ky opojani që e bëri ‘Porsche’-në me ‘gjak shqiptari’ në brendinë e sajë, shkruan Opoja Sot.
Faton Piraj jeton në Vjenë të Austrisë. Ai ka studiuar për inxhieneri mekanike dhe punon në industrinë e veturave luksoze. Piraj ëshë modest për shpikjen, të bërë që para 10 viteve dhe me krenari e thotë fjalinë “Atdhetar mund të bëhesh edhe ndryshe”.
“Motori i veturave moderne ‘Porsche’ e ka nje vrimë të shkallëzuar, në të cilën eshte i pozicionuar boshti i kollodokut (boshti ku lidhen manivelat e pistonave të motorit). Kjo vrimë, që përbëhet nga disa pjesë, ka saktësinë (tolerancën) aksiale e cilindrike nën 0,005 mm, pra nën 5 të mijtat e milimetrit (saktësi shumë e lartë shkaku i rrotullimeve të larta të motorit me mbi 6700 rrotullime në minutë). Për ta hapur dhe përpunuar këtë vrimë nuk mjaftonin kushinetat (llagerat) standarde e as ato speciale mekanike, ku do të vendosej vegla boshtore gdhendëse, shkaku i saktësise së tyre të pamjaftueshme (mbi 0,005mm)”, thotë inxhinieri Piraj.
















