Kosova dhe SHBA-ja themelojnë Grupin Punues për Bashkëpunim në Fushën e Energjisë

Në Ministrinë e Ekonomisë u mbajt takimi i parë i Grupit Punues për Bashkëpunim në Fushën e Energjisë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në grup marrin pjesë përfaqësues politikë dhe teknikë të Ministrisë së Ekonomisë, KEK-ut dhe KOSTT-it, si dhe përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë dhe të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).
Grupi synon të forcojë bashkëpunimin për sigurinë energjetike dhe energjinë e përballueshme. Përmes shkëmbimit të informacionit dhe ekspertizës, palët do të shqyrtojnë mundësitë që u përgjigjen prioriteteve të përbashkëta dhe nevojave të sektorit të energjisë në Kosovë.
Kjo nismë është vazhdimësi të bashkëpunimit e ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në sektorin e energjisë, përfshirë iniciativa të rëndësishme si themelimi i bursës shqiptare të energjisë elektrike ALPEX, hartimi i Strategjisë së Energjisë, zhvillimi i ankandit të parë solar, si dhe investimin në bateri për ruajtjen e energjisë në kuadër të Programit Kompakt me MCC-në, ndër të tjera.

Lexo edheGashi: Ka ardhur koha për një cikël të ri politik në Kosovë, LDK-ja duhet ta përcaktojë rrugën e saj
Palët shprehën gatishmërinë për të vazhduar këtë partneritet dhe për të identifikuar mundësi konkrete bashkëpunimi në funksion të një sistemi energjetik më të sigurt dhe më të qëndrueshëm.











