Gashi: Ka ardhur koha për një cikël të ri politik në Kosovë, LDK-ja duhet ta përcaktojë rrugën e saj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka vlerësuar se Kosova mund të jetë në prag të përfundimit të tranzicionit politik dhe të nisjes së një cikli të ri.
Përmes një postimi në Facebook, Gashi është shprehur i bindur se muajt e ardhshëm do ta dëshmojnë këtë ndryshim, transmeton lajmi.net.
Duke iu referuar bashkëpunimit të fundit formal ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ai ka thënë se bashkëpunimi politik nuk duhet të përdoret më si arsye për demonizimin e kundërshtarëve.
Sipas tij, më e rëndësishme është të vlerësohet qëllimi i bashkëpunimit politik dhe rezultatet që ai sjell për vendin.
Gashi ka theksuar se ka ardhur koha që qeverisja të vlerësohet mbi bazën e rezultateve konkrete, e jo përmes arsyetimeve dhe fajësimeve për të kaluarën.
Ai ka shtuar se qytetarët e Kosovës presin zhvillim, siguri dhe shpresë për të ardhmen.

Lexo edheDyshohet për një të vrarë afër Gjilanit
Deputeti i LDK-së ka nënvizuar se partia e tij duhet ta përcaktojë qartë rrugën politike që do të ndjekë, duke mos harruar të kaluarën, por pa lejuar që ajo ta pengojë të ardhmen.
Në fund, Gashi ka bërë thirrje për më shumë besim, bashkim dhe një politikë moderne që, sipas tij, përfaqëson qytetarët dhe u ofron atyre perspektivë për të ardhmen.
“Koha është tash. Koha është për LDK-në”, ka përfunduar Gashi./lajmi.net/











