Ish-luftëtari i UÇK-së, Faton Klinaku, ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale ndaj tij dhe një personi tjetër, nën dyshimin për kanosje ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Klinaku ka deklaruar se ai dhe avokati i tij nuk janë njoftuar zyrtarisht për aktakuzën dhe se informacionet për të po i merr vetëm nga mediat, transmeton lajmi.net
“Edhe pse unë po informohem nga mediat dhe për këtë nuk di asgjë e as avokati im, mezi nuk po pres të ballafaqohem me A.K., të cilin edhe do ta ftoj si dëshmitar në gjykatë,” ka shkruar Klinaku.
Ky reagim vjen pasi Prokuroria Speciale e Kosovës bëri të ditur se ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore ndaj F.K. (Faton Klinaku) dhe N.S., për shkak të postimeve kërcënuese në rrjetin social Facebook, të cilat dyshohet se ishin të drejtuara ndaj kryeministrit Kurti, në funksionin e tij zyrtar.
Sipas Prokurorisë, Klinaku më 29 gusht 2023 kishte postuar një mesazh kërcënues, dhe më 30 gusht e kishte përsëritur atë, duke shkruar:
“Prapë po e përsëris, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: Më parë e vras A.K. sesa t’ia lëshoj rrugën dhe të iki nga Kosova.”
Ndërkohë, edhe i pandehuri tjetër, N.S., sipas Prokurorisë, e kishte kanosur Kurtin përmes një postimi tjetër publik.
Klinaku, megjithatë, duket i vendosur për të ecur drejt një procesi gjyqësor të hapur dhe për ta përballur personalisht kryeministrin Kurti në sallën e gjyqit, të cilin synon ta ftojë si dëshmitar./lajmi.net/