Janë bërë gati tri vite nga ngjarja tragjike e njohur si “Foshnja në lavatriçe”, e cila ndodhi në dhjetor të vitit 2022 në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës. Por, edhe pas gjithë kësaj kohe, drejtësia ende nuk ka dhënë përgjigje për këtë rast të rëndë që tronditi opinionin publik.
IndeksOnline pati raportuar i pari për këtë skandal, derisa spitali i Pejës pati heshtur.
Foshnja, e cila kishte lindur pa shenja jete, dyshohet se ishte futur në lavatriçen e çarçafëve në Repartin e Gjinekologjisë, duke përfunduar aty në mënyrë tragjike. Nëna e foshnjës mësoi për ngjarjen nga mediat, ndërsa familjarët, përballë mbylljes së spitalit dhe refuzimit për të dorëzuar trupin, alarmuan policinë, çka çoi në zbulimin e incidentit.
Përgjegjësia e stafit mjekësor, konkretisht gjinekologu S.I. dhe infermierja E.A., u vu në shënjestër të hetimeve nga Prokuroria dhe Inspektorati Shëndetësor. Në mars të vitit 2025 u mbajt seanca e shqyrtimit fillestar, por edhe pas më shumë se 4 muajsh nuk është konfirmuar aktakuza.
Kjo vonesë, në një rast kaq të ndjeshëm dhe të dhimbshëm, ka lënë familjen pa përgjigje dhe ka thelluar mosbesimin ndaj institucioneve përgjegjëse për shëndetin dhe drejtësinë./IndeksOnline/