Quni: U linçova për djalin, ai e ka pasaportën kroate, ku shërbimi ushtarak është i obligueshëm

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka reaguar pas kritikave të adresuara ndaj tij lidhur me shërbimin ushtarak të djalit të tij në Kroaci, duke i cilësuar akuzat si të pabaza dhe manipulative.
Në foltoren e Kuvendit, ai tha se djali i tij, Dritoni, nuk është dërguar në ushtrinë kroate përmes ndikimit politik apo privilegjeve, transmeton IndeksOnline.
Sipas tij, djali i tij ka lindur, është shkolluar dhe jeton në Kosovë, por gëzon edhe shtetësinë kroate, gjë që e obligon ligjërisht t’i nënshtrohet shërbimit ushtarak në Kroaci.
“Ai nuk është dërguar me asnjë ndikim politik, privilegj apo proteksion. Si çdo shtetas tjetër i Kroacisë, ai i nënshtrohet bazës ligjore për shërbimin obligativ ushtarak”, deklaroi Quni.
Deputeti hodhi poshtë edhe pretendimet se shërbimi ushtarak i djalit të tij është financuar nga taksapaguesit e Kosovës.
“Asnjë cent i taksapaguesve të Kosovës nuk është shpenzuar për këtë çështje. Të gjitha shpenzimet dhe detyrimet mbulohen nga shteti kroat, sipas ligjeve të tyre”, tha ai.
Lexo edheHoxha: Lojërat Mesdhetare 2030 janë projekt shtetëror, nuk mund të jemi pronarë të suksesit e spektator të dështimit
Quni reagoi edhe ndaj kritikave se djali i tij nuk iu bashkua Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duke theksuar se FSK-ja është ushtri profesionale dhe nuk bazohet në shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
“FSK-ja nuk funksionon mbi parimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, por është ushtri profesionale që rekrutohet përmes konkursit publik”, u shpreh ai.
Quni tha po ashtu se në qoftë se lind nevoja, djali i tij është mëse i gatshëm për të shërbyer në ushtrinë e Kosovës, kurdo që të jetë e nevojshme./IndeksOnline/


