Apeli lë në paraburgim gjyqtarin Avdirrahman Gashi, dyshohet për keqpërdorim të detyrës

Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin gjyqtarit Avdirrahman Gashit iu caktua masa e paraburgimit nën dyshimin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
“REFUZOHET, si e pabazuar ankesa e mbrojtësit të të pandehurit Avdirrahman Gashi av.Halit Shaljani, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë- Departamenti Special.. i datës 15.08.2026, vërtetohet”, thuhet në vendimin e 21 gushtit 2026.
Vendimi i Apelit është marrë nga kolegji i përbërë prej Vaton Durgutit- kryetar dhe anëtarëve Mentor Bajraktari dhe Valon Kurtaj.
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special më 15 gusht 2026 kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Gashit.
Avdirrahman Gashi u arrestua më 14 gusht 2026 nga Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Njësinë e Veçantë Hetimore të Policisë së Kosovës, pas një hetimi që, sipas autoriteteve, kishte zgjatur disa muaj.

Lexo edheTrump kërcënon me tarifa të reja ndaj automjeteve kanadeze pas dështimit të negociatave
Prokuroria Speciale ka deklaruar se ndaj tij ekziston dyshimi i arsyeshëm për përfshirje në veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare”.
Ndërkohë, Prokuroria Speciale ka falënderuar “Betimin për Drejtësi” për bashkëpunimin, përcjelljen e informacionit relevant dhe ruajtjen e konfidencialitetit lidhur me këtë rast. Në letrën e nënshkruar nga kryeprokurori Blerim Isufaj, thuhet se informacioni i dhënë në mënyrë profesionale ka kontribuar në zhvillimin e procedurës me përgjegjësi.












