Aktakuzë ndaj pronarit të një kompanie për mashtrim në tenderin e Ministrisë së Shëndetësisë- Prokuroria jep detaje

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit J.P., dhe një personi juridik, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” .
Sipas aktakuzës, më datë 19 Janar 2024, i pandehuri J.P., në cilësinë e drejtorit dhe personit përgjegjës të kompanisë ‘’M… P.. ‘’ SH.P.K., duke vepruar në emër dhe në interes të kësaj shoqërie, gjatë paraqitjes së ofertës në aktivitetin e prokurimit me titull ‘’Furnizim me material shpenzues medicinal nga LE (Lista Esenciale)’’ të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë, dyshohet se ka paraqitur dokumentacion të rremë.
Në këtë aktivitet të prokurimit, grupi i operatorëve ekonomikë kishte paraqitur oferta për Lotin 1, në vlerë prej 344.955.77 eurosh dhe për Lotin 3, në vlerë prej 169.012.36 eurosh.
Sipas aktakuzës, në dokumentacionin e ofertës ishte përfshirë çertifikata ISO 13485:20216, me numër 47014, e lëshuar nga autoriteti çertifikues ‘’NQA’’ për prodhuesin ‘’Forlong Medical Co., Ltd’’ nga Kina. Çertifikata ishte paraqitur si dëshmi për përmbushjen e kërkesës nr.2 të dosjes së tenderit, që lidhet me kapacitetet teknike dhe profesionale.
Megjithatë, sipas aktakuzës, çertifikata në fjalë kishte skaduar dhe ishte anuluar në tetor të vitit 2022. Po ashtu dyshohet se afati i vlefshmërisë në dokumentin e paraqitur ishte ndryshuar nga data 18.10.2022 në datën 18.10.2024.

Lexo edheOsmani: Mbrojtjen e UÇK-së do ta bëjmë në çdo cep të botës: Historia e Kosovës nuk mund të përvetësohet
Sipas Prokurorisë, përmes paraqitjes së këtij dokumenti, dyshohet se i pandehuri J.P., ka shkelur me dashje rregullat e prokurimit publik lidhur me dokumentacionin që dëshmon përmbushjen e kritereve të tenderit. Sipas aktakuzës, qëllimi i dyshuar ishte vënia në lajthitje e autoritetit kontraktues lidhur me përmbushjen e kërkesave të tenderit dhe ndikimi në vlerësimin e ofertës për vendimarrjen për dhënien e kontratës, në interes të personit juridik ‘’M…..P….’’ SH.P.K.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës kompetente që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallën fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale që i vihet në barrë, si dhe t’u shqiptojë ndalimin e pjesëmarrjes në procedurat për dhënien e kontratave në prokurim publik./Lajmi.net/












