Aksioni i policisë për krime kibernetike, arrestohen nëntë të dyshuar për mashtrimin e suedezëve

Nëntë persona janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për mashtrim përmes qendrave ilegale të thirrjeve (Call Center), ku dyshohet se mashtruan shtetas suedezë duke u ofruar investime në kriptovaluta-Bitcoin. Sipas Prokurorisë Themelore në Ferizaj, viktimave u është shkaktuar dëm i konsiderueshëm financiar, ndërsa gjatë aksionit dy nga të dyshuarit sulmuan zyrtarët policorë.
NJoftimi i plotë:
Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se me vendim të Prokurorit të Shtetit të Departamentit të Përgjithshëm, janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh, nëntë persona të dyshuar me inicialet: P.R, A.P, F.Z, D.H, B.E, T.S, D.H, R.H dhe D.M, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Lexo edheAktakuzë ndaj pronarit të një kompanie për mashtrim në tenderin e Ministrisë së Shëndetësisë- Prokuroria jep detaje
Rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë vitit 2026, në disa lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku të pandehurit duke vepruar si grup, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, kanë vënë në lajthitje të dëmtuarit – shtetasit suedezë, duke i nxitur që të kryejnë veprime në dëm të pasurisë së tyre, përmes qendrave të thirrjeve ilegale (Call Center), duke u paraqitur si ofertues të investimeve në kriptovaluata (Bitcoin), ashtu që pas investimit, mjetet e tyre janë transferuar në llogari të tjera të panjohura, me ç’rast të dëmtuarve i’u është shkaktuar dëm i konsiderueshëm material.
Gjatë zhvillimit të aksionit, dy të pandehurit R.H dhe D.H, kanë sulmuar zyrtarët policor në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare, për çka dyshohen se kanë kryer edhe veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.












