Kurti takon nënsekretarin britanik: Dialogu me Londrën është i ngushtë dhe i vazhdueshëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se është takuar në Shën Stefan me Lord Wood of Anfield, Nënsekretar Parlamentar i Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme britanike.
Kurti ka bërë të ditur se dialogu me Londrën është i ngushtë dhe i vazhdueshëm, ndërsa takimi vjen pas disa bisedave që ai ka zhvilluar gjatë dy muajve të fundit me të Dërguarën e Posaçme për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce.
Sipas Kurtit, këto biseda janë zhvilluar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York dhe përmes telefonit nga Prishtina, kur Pierce i kishte përcjellë edhe urimet e kryeministrit britanik Burnham për zgjedhjen e presidentes.
Kurti ka vlerësuar rolin e Mbretërisë së Bashkuar në zhvillimin e Kosovës, duke e cilësuar atë si mike dhe aleate kyçe që nga çlirimi dhe pavarësia e vendit deri te ndërtimi i demokracisë.

Lexo edheKthimi në Kuvend i Ligjit, Latifi: Po përjetohet si tradhti ndaj protestave, çmimin do ta paguaj PDK
“Mbretëria e Bashkuar ka qenë mike dhe aleate kyçe në çdo etapë të zhvillimit tonë, nga çlirimi dhe pavarësia deri te demokracia e sotme, dhe mbetet ndër zërat më të fuqishëm për integrimin tonë euroatlantik”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se, me institucionet plotësisht funksionale, Kosova është e përqendruar në reforma dhe zhvillim, duke parë mundësi të reja për zgjerimin e bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas tij, bashkëpunimi mund të shtrihet në fusha të ndryshme, nga mbrojtja deri te organizimi i Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.












