Anu Prattipati, E Ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë tha në një intervistë për Gazetën Express se Washingtoni prioritizon “sigurinë, stabilitetit dhe marrëdhënieve të drejta ekonomike”.
E pyetur reth qasjes që do ta ketë Administrata Trump në Kosovë në muajt në vijim, diplomatja amerikane tha se mundësitë për bashkëpunim me Qeverinë e re amerikane janë “pothuajse të palimituara”, nëse qeveria e Kosovës nuk ndërmerr veprime që i minojnë prioritetet amerikane.
“Administrata Trump ka qenë e qartë: Qeveria e SHBA-së prioritizon sigurinë, stabilitetin dhe marrëdhëniet e drejta ekonomike. Nëse qeveria e Kosovës i ndan këto prioritete dhe angazhohet për të nxitur stabilitet dhe paqe, mundësitë për bashkëpunim janë pothuajse të palimituara. Ka potencial të madh në marrëdhënien SHBA-Kosovë, veçanërisht për rritjen e bashkëpunimit ekonomik. Kjo është e mirë për Shtetet e Bashkuara si dhe për Kosovën. Ne shohim mundësi në një gamë të gjerë sektorësh, përfshirë energjinë, mbrojtjen, infrastrukturën, teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, dhe sigurinë kibernetike. Në anën tjetër, nëse Shtetet e Bashkuara shohin se qeveria e Kosovës ndërmerr veprime që i minojnë këto prioritete, do të ketë kufizime në aftësinë tonë për ta ndjekur një bashkëpunim të tillë”, tha ajo.