Hoti: Qeveria shkel ligjin, nuk e miraton buxhetin për 2027 brenda afatit të përcaktuar me ligj

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, thekson se neni 22 i Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike e obligon Qeverinë që t’ia dorëzojë Kuvendit të Kosovës projektbuxhetin për vitin e ardhshëm buxhetor jo më vonë se 31 tetor.
“Sot është 1 nëntor. Projektbuxheti në Qeveri nuk është miratuar ende. Me këtë, Qeveria po shkel afatin e përcaktuar me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike”, shprehet Hoti.
Tutje, ai thotë se “është e paqartë se si Kuvendi do të shqyrtojë në procedura kuvendore një projektbuxhet që i dorëzohet Kuvendit pas afatit ligjor”.
“Kurrë nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Edhe në kohë zgjedhjesh, me Qeveri në detyrë, projektbuxheti është miratuar dhe dorëzuar në Kuvend në përputhje me afatet dhe kërkesat ligjore”, vijon ai.

Lexo edheRrGGK-ja dënon sulmet ndaj Leonida Molliqajt pas protestave për Arlinda Zekajn: Gratë nuk duhet të heshtin
“Fatkeqësisht, shkeljet ligjore e kushtetuese janë bërë praktikë në këto vite të qeverisjes së VV-së dhe partnerëve të saj. Dhjetëra ligje janë shpallur antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese. Qeveria dhe Presidenca kanë kryer shkelje të vazhdueshme kushtetuese përmes shkarkimit ose mos-emërimit të zyrtarëve të lartë shtetërorë. Legjislatura aktuale e Kuvendit të Kosovës u themelua përtej afatit kushtetues. Kryeministri nuk u përgjigjet organeve të drejtësisë. Kryeministri e ministrat kanë shkelur aktgjykimin e Gjykatës Supreme duke ushtruar detyrën e anëtarit të qeverisë dhe të deputetit njëkohësisht”, ka theksuar Hoti.












