Shefja e Grupit Parlamentar të LDK’së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka reaguar lidhur me votimin e nesërm për dy gjykatës të Gjykata Kushtetuese e Kosovës, duke e cilësuar procesin si vendimtar për të ardhmen e vendit.
Ajo theksoi se nuk bëhet fjalë vetëm për përzgjedhje emrash, por për ruajtjen e shtyllave të shtetit, drejtësisë dhe Kushtetutës.
Sipas saj, përfshirja e kandidatëve me lidhje familjare apo politike përbën rrezik për kapje institucionale dhe cenim të pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese.
Statusi i saj i plotë:
TË NDALOHET KAPJA E GJYKATËS KUSHTETUESE!
Nesër në Kuvendin e Kosovës votohet për dy gjykatës të Kushtetueses. Nuk do të votohet vetëm për disa emra. Nesër votohet për vetë shtyllën e shtetit tonë, për drejtësinë, për Kushtetutën, për të ardhmen e Republikës së Kosovës.
Prandaj, ky nuk është një votim i zakonshëm. Është një provë e madhe: se a do ta mbrojmë shtetin, apo do ta dorëzojmë atë në duart e interesave partiake!
Kur në listë dalin kandidatë, familjarë me lidhje të afërta me propagandues politik,
atëherë nuk kemi më proces të drejtë e të pastër. Kemi tentativë për kontroll e kapje institucionale, rrjedhimisht për ta kthyer Gjykatën Kushtetuese në vegël të pushtetit.
Kushtetuesja është gardian i Kushtetutës. Jo mburojë për partinë në pushtet e as strehë për të afërmit e tyre. Por as edhe për shpërblim politik për ata që i shërbyen propagandës partiake! Prandaj dhe Kushtetuesja duhet të qëndroj mbi politikën dhe jo nën të.
Nesër është e rëndësishme që çdo deputet të mendojë mirë kë e përkrah.
Është pikërisht ky moment që të vendosim: A duam Gjykatë të pavarur, apo drejtësi të kapur që i shërben pushtetit?!
Nëse kapet Kushtetuesja, lëkundet vetë shteti. Prandaj, kjo nuk është një ditë e zakonshme. Kjo është dita kur vendosim nëse shtetin tonë e shohim përtej interesave partiake.