Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar ashpër lidhur me përmbajtjen e ekspozitës së Shkëlzen Gashit, duke e cilësuar atë si “skandaloze” dhe “thellësisht të papranueshme”.
Sipas LDK-së, përmbajtja e ekspozita e Gashit paraqet një devijim serioz nga e vërteta historike dhe një cenim të rëndë të dinjitetit të viktimave të luftës dhe familjeve të tyre.
Në një reagim të publikuar, LDK theksoi se lufta e Kosovës është një ngjarje historike e dokumentuar dhe e njohur ndërkombëtarisht, dhe se çdo përpjekje për të relativizuar të vërtetën e saj është jo vetëm e gabuar, por edhe e dëmshme për kujtesën kolektive të qytetarëve të Kosovës.
“Lufta e Kosovës nuk është një narrativë e hapur për relativizim, as një fushë eksperimentimi për interpretime që e deformojnë të vërtetën. Ajo është një e vërtetë e dokumentuar, e vulosur me sakrificë njerëzore dhe e njohur nga bashkësia ndërkombëtare,” theksohet në reagim.
Partia opozitare theksoi gjithashtu shqetësimin për faktin se një ekspozitë e tillë është financuar dhe promovuar nga Kuvendi i Kosovës, duke e cilësuar këtë si një “dështim serioz institucional”.
“Shteti i Kosovës nuk mund të vendoset në rolin e sponsorizuesit të narrativave që bien ndesh me të vërtetën e luftës dhe me dinjitetin e qytetarëve të vet,” thuhet në reagimin e LDK-së.
LDK ka shprehur mbështetje të plotë për angazhimin e Prokurorisë Speciale dhe ka kërkuar që ky rast të trajtohet me seriozitet të plotë dhe paanshmëri, duke kërkuar zbardhjen e çdo përgjegjësie të mundshme.
Po ashtu, Lidhja ka kërkuar përgjegjësi të qartë publike nga të gjithë ata që mundësuan financimin, mbështetjen dhe promovimin e ekspozitës, duke theksuar se kjo është një përgjegjësi ndaj historisë dhe viktimave të luftës.
Në fund, LDK ka kërkuar një kërkimfalje të qartë dhe publike nga institucionet shtetërore për cenimin e ndjenjës së drejtësisë dhe respektit ndaj viktimave të luftës. “Kosova nuk mund të ndërtojë të ardhmen e saj mbi deformime të së vërtetës.
Mbrojtja e së vërtetës historike dhe dinjitetit të viktimave është detyrim themelor shtetëror,” përfundon reagimi i LDK-së.
Me këtë reagim, Lidhja Demokratike e Kosovës ka theksuar se do të qëndrojë e palëkundur në mbrojtje të vërtetës historike dhe të dinjitetit të viktimave të luftës, duke theksuar se e vërteta nuk mund të negociohet.
Reagimi i plotë: