Persona të paidentifikuar kanë sulmuar me armë zjarri banesën e prindërve të gazetares së News24, Klodiana Lala. Policia e Tiranës njofton se ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në lagjen “Bruk” në rrugën “Shkëndija” në kryeqytet.
ABC News deklaron se në banesën e prindërve të gazetares Lala në momentin që ndodhi sulmi, kanë qenë dy vajzat e gazetares, nëna, babai dhe vëllai i saj. Fatmirësisht nuk pati asnjë person të lënduar, përveç dëmeve materiale.
Autorët qëlluan me breshëri kallashnikovi drejt mureve të banesës dhe më pas u larguan. Policia e Tiranës ka nisur hetimet për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë.
Njoftimi paraprak i Policisë së Tiranës:
Më datë 30.08.2018, rreth orëve të mëngjesit, në lagjen “Bruk”, në rrugën “Shkëndija” është qëlluar me armë zjarri në drejtim të pjesës së jashtme të banesës së shtetasit A. L., rreth 64 vjeç.
Nuk ka dëme në njerëz.
Po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. /tvklan.al