Një i ri është plagosur sonte në kokë në rrugën “Ali Sokoli” në Prishtinë dhe ndodhet në gjendje jostabile shëndetësore, kanë bërë të ditur burime nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës. Sipas të dhënave, i riu është transportuar menjëherë në Klinikën Emergjente për trajtim urgjent.
Drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla, ka konfirmuar për , se ekipet mjekësore po kryejnë ekzaminimet dhe trajtimin e nevojshëm.
“Një i plagosur me armë zjarri, në vitin 2001 i lindur, e sjellin në Emergjencë në gjendje të rëndë dhe jostabile, janë duke u kryer ekzaminimet e nevojshme. Ekipet Mjekësore kujdestare janë duke e trajtuar në QE”, tha Syla për lajmi.net.
Hetimet për rrethanat e ngjarjes janë duke vazhduar, ndërsa policia ka nisur procedurat për identifikimin e autorëve dhe shkakun e incidentit.
Në lidhje me këtë, lajmi.net ka kontaktuar me zëdhënësin e Policisë së Kosovës për Prishtinë, Enis Pllana, i cili ka raportuar se një person është plagosur.
“Rreth orës 21:40 kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri,në rrugën “Ali Sokoli” në Prishtinë. Njësitet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga ku është raportuar se një person është plagosur. Personi i plagosur, (mashkull), është dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë policia ka nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti.”, u shpreh ai./lajmi.net/