Një ngjarje e rëndë është shënuar mëngjesin e sotëm në aksin rrugor Lezhë-Shëngjin, duke shkaktuar panik dhe ankth te pasagjerët e një autobusi.
Sipas informacioneve të para, si pasojë e shirave të rëna gjatë natës, janë shkëputur gurë nga mali, duke rënë në afërsi të Knalles dhe goditur autobusin me punëtorët e një fabrike.
Raportohet se nga rrëshqitja e gurëve, dy persona kanë mbetur të lënduar dhe po marrin mjekim në spitalin e Lezhës.
Njoftimi i policisë
Me datë 06.06.2018, rreth orës 06:42, është marrë njoftim se në rrugën Lezhë – Shëngjin, tek vendi i quajtur “Knalla”, një masiv shkëmbor është shkëputur nga mali dhe i ka rënë një autobusi me targa AA 971 JZ, me drejtues shtetasin P.P. i cili po kalonte aty në ato momente.
Për pasojë janë dëmtuar 2 shtetase, K.D. 21 vjeçe banuese në Zejmen e cila është transportuar për në Qendrën e Traumes në Tiranë, dhe shtetasia B.Z. 23 vjeçe banuese në Tresh, e cila ndodhet në spitalin Rajonal Lezhë nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë vazhdojnë hetimet në vendngjarje për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
