Hashim Thaçit i kishte mbetur mishi në fyt.
I tërë spitali ishte alarmua për t’i ardhur në ndihmë por u dëshpëruan kur kuptuan se nuk bëhet fjalë për Presidentin e Kosovës, shkruan Infokusi.com
Madje ata besonin se ishte shaka derisa i riu nga Prishtina, u tregoj dokumentet identifikuese se ndanë të njëjtin emër dhe mbiemër me të parin e vendit.
Për pronarin e një biznesi në Prishtinë, me emrin Hashim Thaçi, rastet e tilla tashmë janë bërë përditshmëri.
Hashim Thaçi, jo Presidenti, shpesh merr edhe privilegje pavarësisht se nuk ka asnjë lidhje familjare me të parin e vendit, shkruan Infokusi.
“Kam përvoja nga më të ndryshmet për shkak të emrit dhe mbiemrit por shumica nga to kanë qenë pozitive dhe interesante”, tregon Thaçi për ‘Infokusin’, derisa kujton ngjarjet që i kanë ndodhur për shkak të emrit e mbiemrit të tij.
E sipas tij rasti më interesant ka qenë ai i panikut të shkaktuar në QKUK kohë më parë kur kishte probleme shëndetësore.
“Rasti më interesant ka ndodhur para një kohe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, kisha një komplikim shëndetësor dhe në momentin kur një familjari i imi është futur brenda dhe ka kërkuar ndihmë për Hashim Thaçin kanë ardhur mjekë dhe motra medicionale. U shkaktua panik e fjala e vetme që dëgjohej në korridore ishte “Hashim Thaçit i ka metë mishi në fyt”. Por kur erdhën në dhomë dhe më panë mua u dëshpëruan pak që nuk isha Presidenti. Mendonin se ishte shkaka derisa panë dokumentet e mia se emri dhe mbiemri im është identik me atë të Presidentit të Kosovës”, thotë Thaçi.
Hashim Thaçi
Atij kjo ngjashmëri me presidentin Thaçi i ka ndihmuar shumë edhe në kohën e studimeve, madje në një rast ka marrë 10 pa hyrë fare në provim.
“Privilegje të tjera kam pas edhe gjatë studimeve. Një profesor pas prezantimit që i kam bërë më ka liruar nga pjesëmarrja në ligjërata, bile nota që ma ka vendose ka qenë 10. E edhe në Institucione të tjera kam pas shpesh herë privilegje”, thotë Thaçi i Prishtinës.
Pothuajse asnjëherë nuk i ndodhë që të gjobitet nga policia e trafikut, derisa në momentin që kuptojnë për emrin dhe mbiemrin e tij fillojnë shakatë.
‘“Rastet me Policinë e Kosovës janë më të shpeshtat. Po përmend një të para disa viteve. Ishim në Graqanicë me shoqëri diku rreth mesnatës dhe jemi ndaluar nga forcat speciale të Policisë së Kosovës për kontroll. E në momentin që kanë parë emrin dhe mbiemrin tim kanë filluar të qeshurat duke më thënë ‘Kryeministër pse nuk po tregon që je ti’”, tregon Thaçi për vakinë e tij derisa kryeministër vendi ishter Hashim Thaçi.
Edhe numri i mesazheve që pranon në rrjete social është i madh. Shumë prej tyre mendojnë se ai është i pari i vendit e disa janë të bindur se është familjar i presidentit Hashim Thaçi.
‘Marrë shumë mesazhe ne rrjete sociale. Shumica prej tyre mendojnë që unë jam Presidenti dhe më përshëndesin por ka edhe nga ata që kërkojnë ndihmë. Më se shumti marr mesazhe nga bashkëluftëtarët e tij apo familjet e dëshmorëve”, tregon Thaçi për Infokusin.
Rastet kur kosovarët ndajnë të njëjtët emra me personat e skenës politike botërore janë të shpeshta por njëjtë nuk ndodhë edhe me ato vendore.