Pesë vrasje kanë ndodhur në Kosovë të dielën dhe të hënën e fundit.
Tre persona kanë mbetur të vdekur në Gjilan dhe një në Zhur të Prizrenit të dielën, dhe një në Hajvali të Prishtinës nga të shtënat me armë zjarri.
Këto shifra, janë parë alarmante dhe shqetësuese nga qytetarët e Kosovës, politikanët dhe njohësit e sigurisë në vend.
Të martën, deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri përmes një komunikate për media ka thënë se në Kosovë është “gjendje alarmante e sigurisë”.
“Në 48 orët e fundit kemi 5 jetë të humbura nga vrasjet e rënda, pesë familje të shkatërruara, pesë tragjedi që në rrethana normale, në një shtet efektiv nuk do të duhej të ndodhnin” – ka deklaruar Tahiri para mediave.
Tahiri ka folur se si këto vrasje erdhën pas një serie vrasjesh, duke theksuar vrasjen në Baicë të Lipjanit.
Sipas tij, vrasjet janë pasqyrë e dështimit të shtetit për ta mbrojtur jetën e qytetarëve në Kosovë.
Deputeti i zgjedhur i legjislaturës së nëntë deklaron se qytetarët po jetojnë në frikë.
“Bandat kriminale, narkotrafikanë, fajdegjitë janë bërë të guximshëm dhe kanë lidhje të drejtpërdrejta me pushtetin. Duke u bërë pjesë e një zinxhiri të rrezikshëm që tashmë e ka lidhur krimin me politikën dhe fatkeqësisht ka afektuar edhe institucionet tjera ligjzbatuese”– ka deklaruar tutje Tahiri.
Numri i vrasjeve në Kosovë, ndonëse brenda dy ditësh kanë qenë pesë të tilla, nuk është në rritje.
Këtë e thonë edhe statistikat e Policisë së Kosovës.
Në disa statistika që lajmi.net i ka marrë nga Policia, në 10 vitet e fundit (2015-2025), më së shumti vrasje janë regjistruar në vitin 2018, 34 sosh.
Në vitin 2015 janë regjistruar 27 vrasje, në vitin 2016 29, një vit pas 28, në viti 2019 22 vrasje, në vitin 2020 28, në vitin 2021 27, në vitin 2022 21, në vitin 2023 29, në vitin 2024 17, dhe në 8 mujorëshin e parë të 2025 12.
Tabelë me statistika:
Policia e Kosovës për lajmi.net ka thënë se në periudhën janar-korrik të vitit 2024 i kanë konfiskuar 924 armë, ndërsa në periudhën e njëjtë të këtij viti, pra janar-korrik 2025 i kanë konfiskuar 1 mijë e 39 armë.
Gjatë periudhës së njëjtë të vitit 2024 janë konfiskuar 18 mijë e 307 municion, ndërsa në periudhën janar-korrik 2025, janë konfiskuar 18 mijë e 606 sosh.
Policia e Kosovës, për lajmi.net ka thënë se në kuadër të përkushtimit të saj për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ka ndërmarrë veprime të shtuara operative në të gjithë vendin me qëllim të identifikimit dhe konfiskimit të armëve që mbahen pa leje, si dhe parandalimin e veprave penale që cenojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
“Armët ilegale vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim serioz për shoqërinë tonë. Rastet e fundit kanë dëshmuar se armët pa leje shpesh përdoren në incidente të rënda kriminale, përfshirë vrasje dhe tentativa për vrasje. Si reagim ndaj kësaj, Policia e Kosovës ka intensifikuar kontrollet, bastisjet dhe operacionet në terren, duke konfiskuar armë të ndryshme dhe duke iniciuar procedurat ligjore ndaj personave të përfshirë”, ka thënë Policia e Kosovës.
Gjithashtu, Policia ka ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit dhe të raportojnë çdo informacion që lidhet me posedimin apo përdorimin e armëve pa leje.
“Informacionet mund të dërgohen në mënyrë konfidenciale dhe janë thelbësore për parandalimin e krimeve dhe për garantimin e një ambienti të sigurt për të gjithë”, ka thënë PK.
Të dielën më 10 gusht, si pasojë e të shtënave me armë zjarri kanë humbur jetën, babë e bir Selami dhe Edmond Hasani dhe Abedin Hoxha, ndërsa ka mbetur i plagosur Bujar Hoxha.
Të dyshuar për këtë rast janë Mefail Shkodra me dy djemtë e tij Edonis dhe Engjull Shkodra, të cilët ndodhen në arrati.
Po ashtu, të dielën, në Prizren ka mbetur i vdekur një person pasi është therur me thikë nga një tjetër. Ata të dy, sipas Prokurorisë fillimisht po i përleshnin qentë. Ndaj të dyshuarit për këtë rast, Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj.
E një ditë pas, të hënën, në Hajvali të Prishtinës një burrë u vra me armë zjarri pas një mosmarrëveshje për parking. Të dyshuarin për rastin, Xhemajl Nuhiu ende po e kërkon Policia e Kosovës pasi që ai ndodhet në arrati që kur ka ndodhur rasti.
Rastet e shumta të vrasjeve në vend, zbehim sigurinë dhe ulin besimin e qytetarëve në institucionet e sigurisë në vend. /Lajmi.net/