Zyrtarët e LDK’së thonë se Grenell i mirëkuptoi, nuk tregojnë për çka?

Një delegacion i Lidhjes Demokratike të Kosovës i kryesuar nga nënkryetari Agim Veliu kanë qëndruar për një vizitë zyrtare në Berlin ku janë takuar me Përfaqësuesin Special të Presidentit të SHBA’së për dialogun Kosovë-Serbi, shkruan Gazeta Express.
Në një komunikatë të lëshuar nga partia e Isa Mustafës është njoftuar që Grenell ka kërkuar heqjen e taksës me qëllim të rinisjes së dialogut. Ndërkohë LDK’ja ka njoftuar ambasadorin amerikan rreth zhvillimeve për koalicion me LVV’në.
Për takimin në një postim në profilin e tij zyrtar ka shkruar edhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, që ka qenë bashkë me Veliun në Berlin.
Hyseni ka thënë se takimi me Grenellin ka qenë shumë i mirë duke potencuar gjithashtu se në takim ka pasur mirëkuptim, por nuk ka specifikuar se për çfarë çështjesh.
“Një takim i mirë dhe shumë mirëkuptues në Berlin me ambasadorin amerikan Richard Grenell!”, ka shkruar Hyseni, raporton Gazeta Express.

Lexo edheErdhi për pushime në Prishtinë, zhduket 15 vjeçarja: Familjarët tregojnë ku u pa për herë të fundit
Për takim mirëkuptues ka shkruar edhe Agim Veliu, pa hyrë në detaje, ndërkohë që ka shpërndarë komunikatën e LDK’së që flet për përmbajtjen e takimit.
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje kanë negociuar për javë të tëra për formimin e Qeverisë por pa sukses. LDK ka insistuar që pjesë të hises ta ketë edhe postin e presidentit, sikurse edhe gjysmën e ministrive.
Pas bllokadës, VV ka nominuar Glauk Konjufcën për kryetar parlamenti i cili edhe u votua nga deputetët duke e zënë kështu një post që mendohej t’i ndahej LDK’së. Pas kësaj gjithçka është bllokuar. Të hënën pritet takimi i Thaçit me Kurtin për çështjen e mandatimit, takim ky në të cilin kreu i VV’së sipas të gjitha gjasave do të shkojë pa marrëveshje me Isa Mustafën./Express/














